Komuna e Lipjanit, e drejtuar nga Imri Ahmeti, më 23 prill 2025 kishte lidhur kontratë me kompaninë “EUROMETAL” për dhënien në shfrytëzim afatgjatë, për 99 vjet, të një prone komunale prej 20 mijë metrash katrorë në Zonën Kadastrale të Babushit të Muhaxherëve, për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e konstruksioneve metalike dhe kontejnerëve.

Sipas kontratës së publikuar nga Front Online, prona me numër P-71409059-00559-10 i është dhënë kompanisë pa kompensim fare, ndërsa marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, dhe përfaqësuesi i kompanisë, Njazi Musliu.

Dokumenti përcakton se parcela prej 20,000 m², apo dy hektarë, i jepet kompanisë në shfrytëzim afatgjatë për 99 vjet, ndërsa destinimi i saj është ekskluzivisht për “fabrikë për prodhimin e konstrukcioneve metalike dhe prodhimin e kontenjerëve”. Por, gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit tregojnë se më shumë se një vit pas nënshkrimit të kontratës, një pjesë e obligimeve kryesore të përcaktuara me marrëveshje nuk ishin realizuar.

Reklamë

Sipas Auditorit, kompania kishte obligim që brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i kontratës të përfundonte procedurat për regjistrimin e së drejtës së shfrytëzimit në kadastër, ndërsa brenda gjashtë muajve duhej të pajisej me kushtet dhe lejen ndërtimore. Këto afate janë të përcaktuara shprehimisht edhe në kontratë. Në nenin 4 thuhet se përfituesi duhet të regjistrojë të drejtën e shfrytëzimit brenda 30 ditësh dhe të pajiset me leje ndërtimore brenda gjashtë muajve nga lidhja e kontratës.

Megjithatë, sipas gjetjes së Auditorit, këto obligime nuk ishin përmbushur brenda afateve fillestare. Pas kërkesës së përfituesit për zgjatjen e afateve, më 16 janar 2026 ishte lidhur edhe një aneks-kontratë. Sipas auditorit edhe pas zgjatjes së afatit, deri në kohën kur është kryer auditimi, ishte realizuar vetëm regjistrimi i së drejtës së shfrytëzimit në kadastër. Kompania, sipas Auditorit, ende nuk ishte pajisur me leje ndërtimore, ndërsa në parcelën komunale nuk kishte filluar asnjë aktivitet investiv.

Kontrata, ndërkaq, parashihte investim të përgjithshëm prej 3.5 milionë eurosh për ndërtimin e fabrikës. Përfituesi ishte obliguar gjithashtu që pas marrjes së lejes së ndërtimit, brenda një periudhe prej tre deri në katër vjetësh, ta ndërtonte dhe ta vinte në funksion fabrikën, bashkë me infrastrukturën përcjellëse.

Reklamë


Premtimi për 70–80 vende pune mbeti pa u realizuar

Një tjetër obligim i rëndësishëm i kontratës kishte të bënte me punësimin. “EUROMETAL” ishte zotuar që me fillimin e veprimtarisë të punësonte rreth 70 deri në 80 persona, me përparësi banorë të Komunës së Lipjanit, si dhe t’i ofronte Komunës dëshmi për këto punësime.

Por, për shkak se në pronën komunale nuk kishte nisur aktiviteti investiv, sipas Auditorit nuk ishte realizuar as plani i punësimit të paraparë me projekt.

Reklamë

Auditori ka evidentuar edhe mungesë të dëshmive se kompania kishte raportuar te Komisioni për monitorimin e kontratave afatgjata lidhur me progresin dhe përmbushjen e obligimeve kontraktuale.

Një raportim i tillë ishte obligim i përcaktuar direkt në kontratë, ku përfituesi duhet t’i raportonte Komisionit duke ofruar dëshmi dhe të dhëna për arritjet në zbatimin e projektit.

Reklamë

Kontrata parashikon edhe mundësinë e shkëputjes së njëanshme

Dokumenti i nënshkruar nga Komuna dhe kompania përmban edhe dispozita për rastet kur obligimet nuk përmbushen. Sipas nenit 7, Komuna e Lipjanit mund ta shkëpusë kontratën në mënyrë të njëanshme nëse marrësi i pronës nuk realizon projektin dhe investimin e prezantuar ose nuk u përmbahet obligimeve të përcaktuara në nenin 4 të kontratës.

Në kontratë përcaktohet gjithashtu se zgjatja e afatit mund të bëhet vetëm në rrethana të arsyeshme, pas një kërkese me shkrim nga përfituesi dhe pas miratimit paraprak të autoritetit kontraktues. Në fund të dokumentit shihet se kontrata është nënshkruar më 23 prill 2025 nga Njazi Musliu, në emër të “EUROMETAL” SH.P.K., dhe nga Imri Ahmeti, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Lipjanit.


Amerllahu godet Imri Ahmetin: Pronat për 99 vjet, investimet mungojnë – “Proceset ishin të montuara”

Reklamë

Valenton Amerllahu, asambleist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Lipjanit, ka akuzuar udhëheqjen komunale se dhënia e pronave publike për shfrytëzim afatgjatë është përcjellë me përzgjedhje të dyshimta të përfituesve dhe me mungesë të mbikëqyrjes së zbatimit të kontratave.

Sipas Amerllahut, rastet kur kompanitë kanë marrë prona komunale për 99 vjet, por më pas nuk kanë realizuar investimet, ndërtimet apo punësimet e premtuara, nuk mund të shihen vetëm si dështim administrativ.

Ai pretendon se procesi i përzgjedhjes së përfituesve ka qenë i manipuluar dhe se afërsia e disa prej tyre me kryetarin e Komunës, Imri Ahmeti, u ka krijuar mundësi që obligimet kontraktuale të mos përmbushen pa pasoja.

Amerllahu thotë se përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi kryetarin dhe ekzekutivin komunal. Sipas tij, mungesa e raporteve gjashtëmujore të monitorimit nuk nënkupton vetëm neglizhencë, por mund të jetë edhe një formë e mbylljes së syve ndaj shkeljeve. Ai vlerëson se kryetari nuk mund të mos ketë qenë në dijeni për gjendjen e kontratave dhe nivelin e përmbushjes së obligimeve nga kompanitë përfituese.

Sa i përket rasteve kur nuk janë siguruar leje ndërtimore, nuk janë realizuar investimet milionëshe dhe nuk janë hapur vendet e punës të premtuara, Amerllahu kërkon që pronat t’i kthehen Komunës. Ai paralajmëron gjithashtu se përgjegjësit për keqpërdorime eventuale të pozitës zyrtare apo pronës publike duhet të përballen me organet e drejtësisë.

Sipas tij, edhe mungesa e raporteve të plota në Kuvendin Komunal për zbatimin e kontratave, shkeljet, borxhet dhe masat e ndërmarra është e lidhur me mënyrën se si janë zhvilluar këto procese. Amerllahu pretendon se sa më pak informacion të jetë bërë publik, aq më e vogël ka qenë mundësia për kërkim të llogaridhënies.

Ai ka ngritur dyshime edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur disa përfitues të pronave komunale. Si shembull ka përmendur një kompani që merret me shitjen e parketit dhe laminatit, së cilës i është dhënë pronë komunale në shfrytëzim. Sipas informatave që ai thotë se posedon, kompania funksionon si depo dhe pikë shitjeje, ndërsa Amerllahu ka paralajmëruar se do të kërkojë sqarime se mbi çfarë baze është bërë përzgjedhja dhe nëse ekzistojnë lidhje ndërmjet pronarit të kompanisë dhe kryetarit Imri Ahmeti.

Front Online raporton se i ka dërguar pyetje kompanisë për mos përmbushje të kontratës, por deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk ka marrë përgjigje nga ta.