Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar kundër kërcënimeve, presioneve dhe fushatave linçuese ndaj gazetarëve, duke i cilësuar ato si sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë.
Musliu, e cila është anëtare e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ka thënë se gazetarët duhet ta kryejnë punën e tyre pa frikë, intimidim apo ndërhyrje politike dhe institucionale.
“Kërcënimet, presionet dhe fushatat linçuese ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe përbëjnë sulm ndaj fjalës së lirë, informimit të drejtë dhe interesit publik”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka kërkuar që çdo kërcënim ndaj gazetarëve të trajtohet seriozisht nga institucionet përgjegjëse dhe të hetohet me përkushtim.
Sipas saj, heshtja përballë rasteve të tilla vetëm sa e inkurajon klimën e presionit dhe pasigurisë.
Musliu ka theksuar se mbrojtja e gazetarëve dhe garantimi i lirisë së mediave nuk duhet të shihet si çështje partiake, por si përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore.
“Demokracia nuk mund të jetë e shëndoshë pa media të lira, të pavarura dhe të sigurta”, ka shkruar deputetja e PDK-së.