Duane “Keffe D” Davis, i shpallur fajtor për organizimin e vrasjes së reperit amerikan Tupac Shakur në vitin 1996, është dënuar me 40 vite deri në burgim të përjetshëm. Vendimi u shpall nga gjyqtarja Carli Kierny dhe përfshin edhe 20 vite shtesë të detyrueshme për përfitimin nga krimi.

Davis, 63 vjeç, u shpall fajtor në gusht për vrasje të shkallës së parë me përdorimin e një arme vdekjeprurëse, ndërsa mbetet personi i vetëm i dënuar për vrasjen e reperit.

Prokuroria argumentoi se ai kishte siguruar armën dhe kishte ndihmuar në organizimin e sulmit, megjithëse nuk akuzohej se kishte qëlluar vetë mbi Shakurin. Sipas hetimeve, ngjarja lidhej me një përleshje mes nipit të Davisit, Orlando “Baby Lane” Anderson, dhe reperit, në Las Vegas, natën e vrasjes.

Reklamë

Gjatë seancës, motra e reperit, Sekyiwa Shakur, kërkoi dënimin maksimal, duke theksuar se humbja e vëllait kishte prekur jo vetëm familjen, por edhe komunitetin. Davis kishte rrëfyer përfshirjen e tij në vrasje në librin autobiografik “Compton Street Legend”, të publikuar në vitin 2019, një zhvillim që ndihmoi në rihapjen e çështjes pas dekadash paqartësie.

Prokuroria kërkoi dënimin maksimal edhe duke iu referuar pesë dënimeve të tjera të mëparshme të Davisit, të cilat janë të ndara nga çështja e vrasjes së Shakurit. Tupac u qëllua më 7 shtator 1996, ndërsa ndodhej në një automjet me Marion “Suge” Knight, i cili gjithashtu u plagos, por mbijetoi; reperi ndërroi jetë gjashtë ditë më vonë, në moshën 25-vjeçare.