Kryeministri i Francës ka deklaruar se u ka kërkuar autoriteteve rajonale të vendosin orë të pjesshme policore në disa qytete, pasi qeveria pranoi se policia kishte “humbur kontrollin” në disa zona gjatë protestave të dhunshme të fundjavës.
Sébastien Lecornu tha pas një mbledhjeje urgjente të kabinetit të hënën se ishte “plotësisht i vendosur të rikthente rendin publik” dhe kishte kërkuar orë policore “lokale dhe të pjesshme” nëse do të ishte e nevojshme. Ai shtoi se nuk kishte “asnjë çështje” për vendosjen e një orë policore të plotë në qytete të tëra si Parisi.
Ai la të hapur mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, por në këtë fazë orët policore të pjesshme dukeshin “më të përshtatshme”. Nuk u specifikua se cilat qytete do të përfshiheshin.
Deklaratat e tij erdhën pasi ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, pranoi se policia kishte “humbur kontrollin” në disa qytete gjatë protestave të së shtunës, ndërsa presidenti Emmanuel Macron kërkoi një rishikim të plotë të sigurisë dhe “metoda të reja operacionale” për t’i dhënë fund trazirave.
Nuñez pranoi se kishte pasur “mungesë parashikimi” në përgatitjet për protestat dhe se numri i policëve ishte shpesh i pamjaftueshëm për të përballuar turmat e dhunshme. Ai tha se kishte ofruar dorëheqjen e tij, por Macron e refuzoi, duke i kërkuar transparencë mbi dështimet e planifikimit dhe inteligjencës.
Protestat pasuan javë të tëra demonstratash nga nxënësit e shkollave të mesme, të shoqëruara me përplasje të dhunshme me policinë, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe mes presioneve ekonomike në rritje.
Objekte publike, përfshirë një bashki, u sulmuan dhe u dogjën, ndërsa rreth 2 mijë dyqane u plaçkitën. Autoritetet raportuan gati 2 mijë e 400 arrestime dhe afro 1 mijë policë e xhandarë të plagosur.
Në Paris, kryebashkiaku Emmanuel Grégoire tha se rreth 30 dyqane u sulmuan të dielën, me 350 arrestime shtesë gjatë natës. Ai akuzoi shtetin për dështim në ruajtjen e rendit publik.
Në Marsejë, kryebashkiaku Benoît Payan tha se “themelet e Republikës” ishin minuar.
Të hënën, protestuesit bllokuan hyrjet e Muzeut të Luvrit në shenjë solidariteti me lëvizjen e nxënësve dhe për të denoncuar “represionin policor”, duke penguar hapjen e muzeut.
Protestat e së shtunës, ku morën pjesë studentë, mësues, prindër, sindikata dhe punëtorë, u fokusuan te kostoja e lartë e jetesës, një çështje që nxiti demonstrata edhe në Itali, Belgjikë dhe Shqipëri gjatë fundjavës./The Guardian/