Shtëpia e Bardhë e paralajmëroi Rusinë dhe vendet tjera që mbështesin presidentin venezuelas Nicolas Maduro që të mos dërgojnë trupa dhe pajisje ushtarake. Uashingtoni tha se do ta konsiderojnë këtë veprim një “kërcënim të drejtpërdrejtë” të sigurisë rajonale.
Ditë më parë, dy aeroplanë rusë me 100 veta personel ushtarak u ulën në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas. Pas këtij veprimi, Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për t’u përgjigjur, fillimisht me sanksione.
Elliot Abrams, përfaqësues i posaçëm për tha se “do të ishte gabim për Rusinë nëse mendon se i ka duart e lira në Venezuelë.” Më herët Këshilltari për sigurinë kombëtare, John Bolton tha se SHBA-ja “do t’i konsiderojë veprimet e Moskës si provokim dhe kërcënim të drejtpërdrejtë të paqes dhe sigurisë në rajon.”
Shtetet e Bashkuara dhe gjitha vendet tjera perëndimore e mbështesin udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, i cili e ka shpallur veten president të përkohshëm. Ndërkohë Rusia, Kina, Irani dhe një sërë vendesh tjera janë në anën e presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro.
Dislokimi i personelit ushtarak rus në Karakas vjen në një kohë kur qeveria vendosi masën e ndalimit të mbajtjes së posteve publike për 15 vjet ndaj udhëheqësit opozitar Juan Guaido. Por në shenjë sfidomi, vetëm disa orë më pas, zoti Guaido foli përpara mbështetësve në një lagje të varfër të kryeqytetit Karakas.
“Çdo herë që gjendem këtu mes jush është një humbje për regjimin. A e dini se prej sa kohësh kanë dashur të më arrestojnë? Çdo ditë që jam në rrugë me ju është një fitore. Tashmë ata gjenden të izoluar,” tha Guaido.