Një vrasje e rëndë në Vitomiricë të Pejës tronditi mbrëmë Kosovën. Arlinda Zeka u vra në mënyrë makabre nga kunati i saj, i cili dyshohet se e goditi me sëpatë.
Megjithatë, kjo vrasje nuk u përfshi fare në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, ku çdo ditë publikohen të dhëna për incidentet e raportuara në mbarë vendin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në pjesën e raportit që i referohet Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, në vend të ndonjë njoftimi për vrasjen e rëndë, thuhet: “Asgjë me rëndësi për të raportuar”.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës, më 25 tetor, në fshatin Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpinë e saj e shoqëruar nga një patrullë e Policisë së Kosovës.
Vrasja e saj ka nxitur reagime dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, pasi e ndjera kishte raportuar dhunë në familje dhe kishte kërkuar ndërhyrjen e institucioneve para se të vritej.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 19:00 të së dielës ishte raportuar një rast i dhunës në familje. Arlinda Zekaj dhe bashkëshorti i saj ishin shoqëruar në stacionin policor, ku ishin intervistuar. Bashkëshorti ishte ndaluar për 48 orë.
Rreth orës 21:10, policia mori njoftimin se një grua ishte gjetur pa shenja jete në Vitomiricë. Ekipet policore dhe ekipi mjekësor dolën në vendin e ngjarjes, ku u konstatua vdekja e saj.
Sipas informatave fillestare të policisë, dyshohet se vdekja u shkaktua nga goditjet me një mjet të fortë. Për rastin e dytë, si i dyshuar është identifikuar kunati i viktimës, i cili, sipas raportimeve, dyshohet se e ka goditur me sëpatë.
Policia ka bërë të ditur se po ndërmerr veprime për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
Tri ditë para vrasjes, i ishte drejtuar Prokurorisë
Rasti është bërë edhe më shqetësues pas publikimit të informatave se Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndërhyrjen e institucioneve para vrasjes.
Më 22 tetor, ajo i ishte drejtuar me një parashtresë kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke shprehur pakënaqësi për trajtimin e rasteve të saj dhe duke kërkuar veprime institucionale.
Në letrën e saj, sipas raportimeve të publikuara, ajo kishte shkruar:
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.
Tri ditë më vonë, ajo u vra.
Sipas avokates që e kishte përfaqësuar në çështjet e dhunës në familje, Arlinda kishte shprehur frikën për jetën e saj dhe kishte kërkuar ndihmë për të mos u ndarë nga djali.
Çfarë thotë Prokuroria për veprimet e ndërmarra?
Prokuroria Themelore në Pejë ka dalë me një sqarim lidhur me veprimet e ndërmarra para vrasjes së Arlindës.
Sipas Prokurorisë, më 22 tetor, pas pranimit të parashtresës së saj, kryeprokurorja e kishte adresuar çështjen te institucionet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë, Qendrën për Punë Sociale dhe institucionet e tjera përkatëse.
Atyre u ishte kërkuar vlerësim urgjent i situatës, verifikim i pretendimeve për lëshime të mundshme dhe ndërmarrje e veprimeve brenda përgjegjësive ligjore.
Prokuroria njoftoi gjithashtu se kishte iniciuar rast për të hetuar nëse në veprimet ose mosveprimet e zyrtarëve të përmendur në parashtresën e Arlindës kishte elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas këtij institucioni, më 16 tetor, Gjykata kishte nxjerrë vendim që urdhëronte ish-bashkëshortin e saj ta lejonte të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Gjithashtu, ishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje për gjashtë muaj, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.
Prokuroria ka bërë të ditur se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.
Sa i përket ditës së vrasjes, Prokuroria tha se Arlindës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodheshin djali dhe sendet e saj personale.
Sipas versionit të Prokurorisë, ajo ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj.
Prokuroria ka shprehur keqardhje për vrasjen dhe ka kërkuar hetim të plotë, objektiv e profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale.
Kryeprokurori kërkon verifikimin e përgjegjësive institucionale
Pas vrasjes, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport të detajuar për mënyrën se si janë trajtuar rastet e raportuara nga Arlinda Zekaj.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, është kërkuar analizimi i veprimeve institucionale, përfshirë vlerësimin e rrezikut, masat e ndërmarra për mbrojtjen e viktimës dhe komunikimin ndërmjet institucioneve.
Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë i është kërkuar raport me shkrim për kronologjinë e rasteve, personat e raportuar, veprimet procedurale dhe arsyetimin e vendimeve.
Po ashtu, Inspektorati Policor i Kosovës është autorizuar të ndërmarrë veprime hetimore dhe verifikuese për mënyrën e pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të raportimeve të Arlindës në polici.
Qëllimi është të sqarohet nëse ka pasur shkelje, neglizhencë apo mosveprime nga zyrtarët përgjegjës dhe, nëse konstatohen të tilla, të përcaktohen përgjegjësitë përkatëse.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë për rastin, duke theksuar se duhet të shqyrtohet jo vetëm vrasja, por edhe mënyra se si institucionet i kanë trajtuar denoncimet e viktimës dhe nëse kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e saj./Reporteri.net/
