Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, i ka shprehur ngushëllime familjes së Arlinda Zekajt pas vrasjes së 49-vjeçares në Vitomiricë të Pejës.
Ai ka thënë se familja e tij e kupton dhimbjen që po përjeton familja Zekaj, ndërsa ka shprehur shpresën që edhe Kushtrim Kokalla të dënohet me burgim të përjetshëm, sikurse Naim Murseli dhe Granit Plava.
“Dua t’i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së Arlinda Zekajt, ne e kuptojmë dhimbjen e tyre. Ajo çfarë pamë sot ne në këtë seancë, nuk ishte e hijshme as për ju as për ne, sepse sot gjykata mundi të thotë të vërtetën dhe të lejojë mediat. Ne presim që vendimi të jetë ai, si për Naimin edhe për Granitin, dhe shpresojmë shumë që këtij vendimi t’i bashkëngjitet edhe Kushtrimi me burgim të përjetshëm”, ka thënë Ademaj.
Pas seancës së Apelit në rastin e vrasjes së motrës së tij, Ademaj ka reaguar edhe për vendimin e gjykatës që mediat të mos lejohen të raportojnë nga seanca.
Ai e ka kundërshtuar këtë vendim, duke vlerësuar se mbyllja e seancës për publikun dhe mediat e dëmton transparencën e procesit gjyqësor.
“Në seancat e Apelit nuk ka asgjë të re që të arsyetojë mbylljen e tyre nga mediat dhe publiku”, ka shkruar ai.
Ademaj ka theksuar se familja e tij kërkon drejtësi për Liridona Ademajn dhe transparencë në çdo hap të procesit gjyqësor.
Ai ka shtuar se, kur vriten gratë, gjykata duhet t’i dëshmojë publikut se drejtësia po vepron me transparencë dhe përgjegjësi, e jo që proceset të zhvillohen në fshehtësi.