Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar të enjten Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të drejtorit të Prokurimit në këtë institucion, ndaj të cilit ka nisur një hetim paraprak.

Sipas njoftimit të IPK-së, zyrtari dyshohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe për çështje që lidhen me konfliktin e interesit në proceset e prokurimit publik.

Hetimet përfshijnë rrethana që ndërlidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale.

Reklamë

“Për këto kontrata janë duke u shqyrtuar vendimmarrja, mënyra e zhvillimit të procedurave dhe respektimi i kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Rekomandimi për suspendim është bërë me qëllim të garantimit të integritetit dhe mbarëvajtjes së hetimit, ndërsa masa kërkohet të mbetet në fuqi deri në përfundimin e hetimit penal.

IPK ka bërë të ditur se veprimet hetimore po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit, Inspektorati Policor ka njoftuar se në këtë fazë nuk mund të japë informacione të tjera për rastin.