Real Madridi udhëton të shtunën drejt Mestallas, me synimin për ta vazhduar serinë mbresëlënëse të fitoreve nën drejtimin e Jose Mourinhos.
“Los Blancos” kanë regjistruar shtatë fitore radhazi dhe synojnë ta arrijnë edhe të tetën para pushimit të kombëtareve në muajin nëntor.
Përballja me Valencian sjell në vëmendje edhe një histori interesante që lidhet me Harvey Elliottin, i cili para disa vitesh ishte shumë pranë transferimit te Real Madridi.
Sipas “Diario AS”, sulmuesi i Valencias ishte një objektiv i madrilenëve që në moshë të re.
Megjithatë, incidenti mes Mohamed Salahut dhe Sergio Ramosit në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2018 bëri që Elliott të hiqte dorë nga mundësia për t’u transferuar në Madrid.
Në vitin 2019, Elliott kishte tërhequr interesimin e disa gjigantëve evropianë, pasi ishte bërë futbollisti më i ri që debutonte në Premierligë.
Ai ishte vetëm 16 vjeç e 30 ditë kur debutoi me Fulhamin dhe konsiderohej njëri prej talenteve më premtues të futbollit anglez.
Real Madridi e kishte ftuar anglezin në Spanjë, ku i kishte organizuar një vizitë në stadiumin Santiago Bernabeu dhe qendrën stërvitore Valdebebas.
Megjithatë, përpjekja e madrilenëve për ta impresionuar të riun duke i ofruar mundësinë të takohej me Ramosin dështoi. Elliott e refuzoi këtë mundësi, pasi ishte i pakënaqur me atë që mbrojtësi spanjoll i kishte bërë Salahut në finalen e Ligës së Kampionëve.
I riu kishte qenë i pranishëm në finalen e vitit 2018 në Kiev së bashku me babanë e tij, ku kishte parë ndërhyrjen kontroverse të Ramosit që i shkaktoi Salahut një lëndim në shpatull.
Kjo ngjarje, së bashku me dashurinë që kishte për Liverpoolin dhe dëshirën për t’iu bashkuar këtij klubi, bënë që ai ta refuzonte mundësinë e transferimit te Los Blancos.
Për disa vite në “Anfield”, dukej se Elliott ishte në rrugën e duhur për ta realizuar potencialin e tij të madh nën drejtimin e Jurgen Kloppit.
Ai pati shumë paraqitje të rëndësishme nën drejtimin e trajnerit gjerman, ndonëse nuk arriti asnjëherë të bëhej titullar i rregullt.
Megjithatë, ardhja e Arne Slotit i komplikoi gjërat. Rëndësia e Elliottit në skuadër filloi të zvogëlohej, ndërsa Liverpooli nisi të shpenzonte shuma të mëdha për përforcime nga tregu i transferimeve.
Ai u transferua te Aston Villa në formë huazimi, por kjo aventurë shkoi shumë keq, përpara se të kalonte te Valencia për ta rikthyer karrierën në rrugën e duhur.
Shtatë vjet më vonë, Elliott e gjen veten duke u përgatitur për t’u përballur me Real Madridin si futbollist i Valencias. Megjithatë, aventura e tij në Spanjë nuk ka nisur aspak mirë.
23-vjeçari ka regjistruar vetëm 152 minuta në gjashtë paraqitje në La Liga, pa e nisur asnjë ndeshje si titullar.
Mbetet të shihet nëse Elliott do të ketë mundësinë të luajë kundër klubit që dikur e refuzoi dhe si do të paraqitet përballë Real Madridit.