Argjentina po shfrytëzon një hapësirë në rregulloren e FIFA-s për ta shmangur dorëzimin e menjëhershëm të fanellës me numrin 10, pas pensionimit të Lionel Messit nga futbolli ndërkombëtar.

Messi, golashënuesi më i mirë në histori të Argjentinës dhe futbollisti më i madh që ka pasur ndonjëherë kjo kombëtare, pati një lamtumirë emocionuese gjatë pushimit të fundit të kombëtareve. Ai u nderua në stadiumin “Estadio Monumental”, pasi shënoi golin e tij të 126-të në fitoren ndaj Beninit.

Për këtë rast të veçantë u përgatit edhe një fanellë speciale në nder të Messit, i cili pas ndeshjes mbajti një fjalim në fushë.
Ndeshjet e para të Argjentinës pas epokës së Messit do të zhvillohen të premten, më 13 nëntor, kundër Uruguait, ndërsa më 17 nëntor do të përballet me Kosta Rikën.

Reklamë

Me yllin e Inter Miamit që nuk është më pjesë e kombëtares argjentinase, kanë qenë të nevojshme disa ndryshime.

Cristian Romero është emëruar kapiteni i ri i Argjentinës, por drejtuesit e kombëtares kanë hezituar t’ia dorëzojnë dikujt tjetër fanellën me numrin 10, të cilën Messi e ka mbajtur për pjesën më të madhe të karrierës së tij.

Rregullat e FIFA-s nuk lejojnë tërheqjen përfundimtare të fanellës së Messit, pasi rregullorja përcakton se numrat nga 1 deri në 26 duhet të jenë të zënë gjatë ndeshjeve të turneve ndërkombëtare.

Argjentina ka dështuar në përpjekjen për ta përjetësuar numrin e Messit, por nuk do t’ia dorëzojë atë një futbollisti tjetër menjëherë.

Sipas “TyC Sports”, asnjë lojtar nuk do ta marrë numrin 10 në dy ndeshjet e ardhshme miqësore. Kjo për shkak se të njëjtat rregulla nuk zbatohen në ndeshjet që nuk kanë karakter garues, duke i mundësuar Argjentinës ta shtyjë përkohësisht përdorimin e kësaj fanelle.

Reklamë

Federata e Futbollit të Argjentinës (AFA) kishte tentuar ta tërhiqte fanellën me numrin 10 edhe në vitin 2002, pas pensionimit të Diego Maradonas nga kombëtarja, por kërkesa e saj ishte refuzuar.

Më herët, përzgjedhësi Lionel Scaloni kishte folur për këtë çështje, duke deklaruar:

“Ideja është që përfundimisht dikush ta marrë këtë fanellë, duke pasur parasysh sa e veçantë është ta veshësh. Thjesht ende nuk kemi vendosur se kush do të jetë”.

Scaloni nuk përmendi ndonjë kandidat të mundshëm, por gazetari i “ESPN Argjentina”, Federico Bueno, pretendoi se Nico Paz është në pozitë të favorshme për t’u bërë pasardhësi i Messit.

Reklamë

Sipas tij, “brenda kombëtares tashmë është vendosur” që Paz të jetë bartësi i ri i numrit 10, nëse Scaloni vazhdon kontratën e tij me Argjentinën.

Paz e ka bartur me shumë sukses numrin 10 te Como, ku ish-mesfushori i Real Madridit ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar tetë asistime në të gjitha garat.

Megjithatë, kapiteni i ri i Argjentinës, Romero, ka një emër tjetër në mendje. Ai ka propozuar bashkëlojtarin e tij te klubi dhe kombëtarja, Julian Alvarez, duke besuar se modestia dhe përkushtimi i tij ndaj familjes, jashtë fushës së futbollit, e bëjnë një kandidat të denjë.

“Unë do t’ia jepja Julianit Alvarez. Nuk e di, e shoh si një person modest, familjar dhe djalë të mirë, me të gjitha cilësitë që posedon”, deklaroi Romero në një intervistë për Gastón Edul.

Reklamë

“Kemi shumë futbollistë të rëndësishëm në kombëtare. E përmend Julianin, sepse ai i ka të gjitha cilësitë e nevojshme për ta bartur numrin 10”.