Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes mes Republikës së Irlandës dhe Kosovës, me vendasit që po udhëheqin 1-0 në stadiumin “Aviva” në Dublin.

Pjesa e parë ishte mjaft e vështirë për Dardanët, të cilët pësuan një goditje të madhe në minutën e 26-të, kur Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq.

Mbrojtësi kosovar ndali me dorë një top që po shkonte drejt portës, duke bërë që gjyqtari të akordonte penallti për Irlandën dhe ta përjashtonte nga loja.

Reklamë

Nga pika e bardhë, në minutën e 28-të, Troy Parrott ishte i saktë për ta kaluar Irlandën në epërsi prej 1-0.

Pavarësisht disavantazhit numerik dhe rezultatit, Kosova kishte treguar rrezik edhe në fazën ofensive, me Vedat Muriqin që pati disa mundësi për të rrezikuar portën kundërshtare.

Tashmë, Dardanët i presin edhe 45 minutat e fundit, në një mision tejet të vështirë për të rikthyer rezultatin, duke luajtur me një futbollist më pak.

Kujtojmë se Kosovës i mjafton një pikë në këtë përballje për ta siguruar pozitën e dytë në Grupin B3 dhe kualifikimin në “play-off” për inkuadrim në Ligën A të Ligës së Kombeve.