Katër persona janë arrestuar në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin për përfshirje në sulmin fizik ndaj dy zyrtarëve policorë, të cilët në momentin e incidentit ishin jashtë detyrës zyrtare.

Rasti ka ndodhur më 18 nëntor, rreth orës 01:20, në një lokal në rrugën “Boris Kidriç” në Mitrovicën e Veriut.

Sipas njoftimit të Policisë, dy zyrtarët policorë fillimisht janë ofenduar nga disa persona për shkak të punës së tyre zyrtare, ndërsa më pas janë sulmuar fizikisht pasi kanë dalë jashtë lokalit.

Reklamë

Si pasojë e sulmit, njëri nga policët ka pësuar lëndime të rënda trupore, sipas vlerësimit të mjekut kujdestar.

“Lidhur me informatën, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, të cilat kanë kuptuar se dy zyrtarë policorë, të cilët në atë kohë ishin jashtë detyrës zyrtare dhe ishin duke qëndruar në atë lokal, fillimisht janë ofenduar nga disa persona në lidhje me punën e tyre zyrtare e më pas edhe janë sulmuar fizikisht pasi kanë dalë jashtë lokalit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ka arrestuar dy të dyshuarit e parë, S.L. (2001) dhe U.L. (2005).

Ndërkaq, gjatë vazhdimit të hetimeve dhe punës së hetuesve rajonalë, janë identifikuar edhe dy persona të tjerë, N.M. (2004) dhe L.M. (2005), të cilët po ashtu janë shoqëruar në stacion policor.

Gjatë verifikimeve, policia ka konstatuar se njëri nga të dyshuarit posedonte disa armë me leje në adresën e tij të banimit, të cilat janë sekuestruar me udhëzimet e prokurorit të shtetit. Po ashtu, edhe te njëri nga dy të dyshuarit e tjerë është gjetur dhe sekuestruar një armë me leje.

Reklamë

Të katër të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me aktvendim të prokurorit ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ata do të hetohen për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

“Policia, në koordinim me prokurorin e shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe procedimin e personave të përfshirë”, thuhet në njoftim.

Reklamë