Pas 13 vjetësh pritje, GTA 6 nis lansimin global, miliona lojtarë rikthehen në Vice City

Pas më shumë se 13 vjetësh pritje, videoloja e shumëpritur “Grand Theft Auto VI” ka nisur lansimin global, duke rikthyer lojtarët në qytetin imagjinar Vice City dhe duke shënuar një prej lansimeve më të pritura në industrinë e argëtimit.

Lojtarët në Zelandën e Re ishin ndër të parët që patën mundësinë të provojnë lojën e re të zhvilluar nga Rockstar Games, pasi ajo u bë e qasshme në mesnatën e së enjtes, përpara se lansimi të vazhdonte në pjesë të tjera të botës.

Reklamë

Interesimi për lojën është aq i madh sa operatorët e internetit në Zelandën e Re janë përgatitur për një rritje të jashtëzakonshme të shkarkimeve. Kompania Chorus ka parashikuar rreth 35 petabajt trafik shtesë në rrjetin e saj, për shkak të miliona përdoruesve që pritet ta shkarkojnë lojën.

Vetëm madhësia e skedarit të GTA 6 arrin në 212 gigabajt.

“Është e paprecedentë”, ka deklaruar Kurt Rodgers, menaxher i strategjisë së rrjetit në Chorus, duke theksuar se kjo madhësi përfaqëson më shumë se një të katërtën e konsumit mesatar mujor të internetit të një familjeje, të shkarkuar në një moment të vetëm.

Interesimi për lojën është reflektuar edhe në tregjet financiare. Aksionet e Take-Two Interactive, kompania mëmë e Rockstar Games, janë rritur për më shumë se tetë për qind të mërkurën.

Rikthimi në Vice City pas 13 vjetësh

Reklamë

GTA 6 i rikthen lojtarët në Vice City, versionin imagjinar të Majamit, në një botë të frymëzuar nga shteti amerikan i Floridës.

Në qendër të ngjarjes janë dy personazhet kryesore, Lucia Caminos dhe Jason Duval, një çift që përfshihet gjithnjë e më shumë në botën e krimit, pasi përpjekjet për ta përmirësuar jetën e tyre marrin një kthesë të papritur.

Lucia sapo është liruar nga burgu, ndërsa Jason është një ish-ushtar që është përfshirë në aktivitete të trafikantëve të drogës. Pas dështimit të një pune kriminale, të dy përfshihen në një komplot shumë më të gjerë.

Rockstar e ka përshkruar Leonidan, shtetin imagjinar ku zhvillohet loja, si botën më të madhe dhe më të detajuar të krijuar deri më tani nga kompania.

Reklamë

Përveç Vice City, lojtarët do të mund të eksplorojnë plazhe, autostrada, zona kënetore, lagje të jetës së natës dhe komunitete të vogla të frymëzuara nga Florida e Jugut.

Majami shfrytëzon interesimin për lojën

Entuziazmi për GTA 6 ka tejkaluar industrinë e videolojërave, duke u shndërruar edhe në mundësi promovimi për qytetin e Majamit dhe bizneset përreth tij.

Autoritetet e Miami-Dade kanë arritur një marrëveshje promovuese prej 3.9 milionë dollarësh me Rockstar Games, e cila përfshin vendosjen e një mbishkrimi gjigant “Welcome to Vice City” në qendrën sportive Kaseya Center, ku zhvillohen ndeshjet e ekipit Miami Heat.

Reklamë

Ekipi i basketbollit pritet të paraqitet edhe me uniforma të zeza dhe rozë, të frymëzuara nga atmosfera e Vice City.

Megjithatë, kjo fushatë nuk është pritur mirë nga të gjithë. Disa zyrtarë në Florida kanë vënë në pikëpyetje përdorimin e resurseve publike për promovimin e një videoloje të njohur për paraqitjen e vjedhjeve të veturave, armëve dhe aktiviteteve kriminale.

Rekorde edhe para lansimit

Interesimi për GTA 6 është dëshmuar edhe nga shikueshmëria e jashtëzakonshme e videove promovuese.

Reklamë

Traileri i parë i lojës ka marrë më shumë se 93 milionë shikime në YouTube brenda 24 orëve të para, ndërsa traileri i dytë ka regjistruar mbi 475 milionë shikime në platforma të ndryshme brenda një dite, sipas kompanisë Take-Two Interactive.

Loja ka marrë gjithashtu tetë nominime për çmimet “The Game Awards”, përfshirë kategorinë e lojës më të mirë të vitit.

Ndërkohë, ekskluziviteti “Grand Theft Auto” ka shitur më shumë se 470 milionë kopje në mbarë botën. Vetëm GTA V, e publikuar në vitin 2013, ka shitur mbi 230 milionë kopje.

Përveç lojës, të premten pritet të publikohet edhe albumi “Grand Theft Auto VI: The Album”, me 34 këngë origjinale të lidhura me lojën.

Një kolonë zanore e veçantë, e realizuar nga dyshja franceze Justice, pritet të publikohet më 11 dhjetor.