Një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës është lënduar gjatë një stërvitjeje ushtarake në poligonin e Babajt të Bokës.
Lidhur me këtë rast, është deklaruar drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Xhavit Gashi.
“Ushtari i lënduar i FSK-së nesër i nënshtrohet operacionit urgjent. Ka thyerje të brinjëve, lëndime në boshtin kurrizor dhe në pjesë të tjera të trupit”, ka deklaruar në T7.
Ushtari fillimisht është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Gjakovës, ndërsa më pas është transferuar në QKUK, ku i janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe është vendosur në Klinikën e Ortopedisë.
Ndërkohë, Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar të martën se pjesëtari i saj ka pësuar lëndime gjatë aktivitetit stërvitor dhe se gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Në njoftimin zyrtar, FSK-ja i ka cilësuar lëndimet si të lehta, ndërsa ka bërë të ditur se rrethanat e incidentit janë duke u trajtuar nga strukturat përgjegjëse, në përputhje me procedurat institucionale.
Megjithatë, FSK-ja nuk ka dhënë detaje për shkakun e incidentit apo rrethanat në të cilat është lënduar ushtari.
Dyshohet që incidenti të ketë ndodhur nga shpërthimi i municionit të prodhimit turk. Ky pretendim nuk është konfirmuar zyrtarisht nga FSK-ja.
Rasti rikthen në vëmendje edhe një incident të mëhershëm të raportuar gjatë ushtrimeve të FSK-së, kur një municion 40-milimetërsh i prodhimit turk kishte shpërthyer brenda granatahedhësit automatik amerikan MK-19. Sipas raportimeve të mëparshme të Sinjalit, atëherë ishin ngritur shqetësime edhe për probleme të mundshme me këtë municion.