Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka mbajtur diskutim lidhur me temën “Roli i vendimeve të Gjykatës Supreme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit: Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme”.
Arbëresha Loxha, drejtoreshë në GLPS, ka thënë se efikasiteti i sistemit gjyqësor në Kosovë është lëkundur shumë.
“Janë paraqitur një mori rastesh nga Supremja e cila ka vendosur për kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë dhe ku konstatohet shkelje e ligjit dhe e njëjta nuk i ka prishur vendimet e tilla por vetëm kufizohet në konstatim të shkeljes”, tha ajo, raporton KTV.
Ajo tha se “në asnjë variant përpos që të konstatohet që të vërtetohet shkelja, nuk mund veprohet ndryshe”.
Loxha shtoi se “Kosova ka ngecur në luftimin e krimit dhe korrupsionit”.
Ndërsa Fejzulla Hasani, ka thënë se Kosova ka shumë për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe është larg vendeve të regjionit.
“Qëndrojmë mbrapa për konfiskim të pasurisë së paligjshme nëse e krahasojmë me vendet e regjionit. Roli i Supremes por edhe i të gjithë mekanizmave në këtë luftë me vendimet e saj mund të krijoj një lloj skandali në aspektin e procedimit të këtyre çështjeve por nuk është e vetmja që Supremja mund ta ketë rolin dominues. Në këtë luftë kontribut kanë të gjithë mekanizmat. Pajtohemi në këta drejtim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit ka punë shumë për të bërë dhe jemi larg vendeve te regjionit”, ka thënë ish kryetari i Gjykatës Supreme Fejzulla Hasani.