×
  • Lajme
  • Lajme

    Ligji për pagat në sektorin publik hyn në fuqi më 1 dhjetor

    Reporteri
    20 Nëntor 2019 | 17:19

    Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se Ligji për Zyrtarët Publikë nuk ka të bëjë me çështjen e pagave në sektorin publik.


    Siç njofton kumtesa, Avokati i Popullit thotë se kërkesën që e ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese më 8 nëntor 2019 për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publikë të cilën më datë 19 nëntor 2019 dhe që Gjykata Kushtetuese ka vendosur për kërkesën dhe ka miratuar masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 28 shkurt 2020 nuk ka të bëjë me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

    Ky institucion ka sqaruar se çështja e pagave rregullohet me ligjin për Pagat në Sektorin Publik i cili do të hyjë në fuqi me 1 dhjetor 2019.

    “Gjykata Kushtetuese e ka shqyrtuar dhe ka vendosur për kërkesën për masë të përkohshme, pa paragjykuar papranueshmërinë dhe meritën e kërkesës së Avokatit të Popullit, e ka miratuar masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 28 shkurt 2020 dhe e ka pezulluar menjëherë zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë, në kohëzgjatje të njëjtë”, thuhet në njoftim, përcjell lajmi.net.

    Njoftimi i plotë:

    Prishtinë, 20 nëntor 2019 – Avokati i Popullit, më 8 nëntor 2019, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë.

    Ligji nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë i jep Qeverisë së Republikës së Kosovës kompetenca për krijimin e bazës ligjore për punësim të zyrtarëve publikë në institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe zyrtarët publikë në institucionet e pavarura, si dhe në subjektet e tjera në sektorin publik, pa marrë parasysh specifikat e statusit kushtetues të këtyre subjekteve.

    Avokati i Popullit në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka vlerësuar se Ligji nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë nuk e ka marrë parasysh faktin se subjekte të ndryshme në sektorin publik, çështjet organizative, funksionale dhe të veprimtarisë së tyre i kanë të rregulluara në mënyrë të veçantë, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e tyre organike. Bashkë me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë, Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të dispozitave të kontestuara të këtij ligji.

    Më 19 nëntor 2019, Gjykata Kushtetuese e ka shqyrtuar dhe ka vendosur për kërkesën për masë të përkohshme, pa paragjykuar pranueshmërinë dhe meritën e kërkesës së Avokatit të Popullit, e ka miratuar masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 28 shkurt 2020 dhe e ka pezulluar menjëherë zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë, në kohëzgjatje të njëjtë.

    Për shkak të interesimit të madh të publikut, Avokati i Popullit njofton se Ligji nr. 06/L-114 Zyrtarët Publikë nuk ka të bëjë me çështjen e pagave në sektorin publik dhe se çështja e pagave rregullohet me Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2019.

    Sa i përket Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, Avokati i Popullit ka pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave, të cilat është duke i shqyrtuar. Avokati i Popullit do ta njoftojë publikun me kohë për çfarëdo veprimi që do ta ndërmarrë lidhur me Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!