Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook rreth negociatave që po zhvillohen në funksion të arritjes së koalicionit dhe formimit të Qeverisë mes dy subjekteve që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit.
Haziri ka thënë se LDK dhe VV kanë arritur pajtueshmëri në shumë fusha, derisa sipas tij e vetmja arsye e vonesave është çështja e ankesave të rezultateve të votimit, shkruan Reporteri.net.
Tërthorazi, ai ka bërë të ditur se posti i presidentit nuk është arsyeja që mund të krijojë çfarëdo lloj ngërçi në bisedimet mes VV-së dhe LDK-së.
“Mos keni dert. Nuk ka asnjë lloj ngërçi dhe asnjë lloj hezitimi sa i përket të ardhmes në ndërtimin e një koalicioni LDK-VV, si fitues të zgjedhjeve të fundit nga kampi opozitar. Janë arritur shumë pajtueshmëri, siç janë ato në sektorin e ekonomisë, shëndetësisë dhe në sektorin e poltikave terciale. Arsyeja e vetmeve e vonesave është cështja e ankesave sa i përket rezultateve të numërimit. Nuk bëhet fjalë për ndarje të ‘kulaçit’”, ka shrkuar Haziri. /Reporteri.net