Ish-përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Florian Dushi, ka thënë se votat e ardhura pas ditës së zgjedhjeve dhe pas shpalljes së rezultateve, po e bën procesin zgjedhor të dyshimtë.
Florian Dushi i cili ka qenë përfaqësues i LDK’së në KQZ për dhjetë vite, ka shkruar rreth votave që kanë ardhur pas shpalljes së rezultateve, në institucionin ku dikur ai punonte.
“Ardhja e këtyre votave pas ditës së zgjedhjeve, madje edhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, e bënë këtë proces tërësisht të dyshimtë për faktin se ato po arrijnë në Kosovës pas njohjes së partive politike me rezultatet dhe nevojat e tyre për vota!”, ka shkruar Dushi në Facebook.
Me datën 12 nëntor në Kosovë kanë ardhur 392 pako me fletëvotime nga diaspora, saktësisht një javë pas publikimit të rezultateve finale nga KQZ dhe kjo me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është legale.
Neni 96.2 te Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë se: “Vota përmes Votimit Jashtë Kosovës duhet të pranohet nga KQZ’ja para ditës së zgjedhjeve, sikurse përcaktohet me anë të rregullave të KQZ’së”.
Postimi i plotë i Florian Dushit në Facebook.
Precedenti i krijuar nga ana e Gjykatës Supreme, në kundërshtim flagrant me dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme*, mbi pranimin e votave përmes postës, edhe kur ato vijnë pas ditës së zgjedhjeve, po vazhdon të krijoj probleme për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për procesin zgjedhor në përgjithësi, sepse, fletëvotimet të tilla po vazhdojnë të arrijnë në Kosovë edhe pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve!
Ardhja e këtyre votave pas ditës së zgjedhjeve, madje edhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjve, e bënë këtë proces tërësisht të dyshimtë për faktin se ato po arrijnë në Kosovës pas njohjes së partive politike me rezultatet dhe nevojat e tyre për vota!
*Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, neni 96.2:
“Vota përmes Votimit Jashtë Kosovës duhet të pranohet nga KQZ-ja para ditës së zgjedhjeve, sikurse përcaktohet me anë të rregullave të KQZ- së”