Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, në emer edh të dy sindikatave të tjera, ka biseduar me Avokatin e Popullit lidhur me pagat që pritet të dalin me rritje.
Ai thotë se i ka thënë Avokatit të Popullit, Hilmi Jasharit, se nëse pagat nuk dalin me rritje nga dhjetorit, pasojat do të jenë të paparashikueshme, shkruan Reporteri.net.
Jasharaj ka thënë se nuk e dëshirojnë një situatë të tillë, por nëse ky ligj nuk hyn në fuqi, sipas tij, mbi 60 mijë të punësuar do të prekeshin.
“Duke mos dashur që të ndikojmë në punën e Avokatit të Popullit atij ia kemi bërë me dije se nëse pagat e muajit dhjetor nuk dalin me ligj të ri, atëherë pasojat janë të paparashikueshme, gjë të cilën nuk e dëshirojmë. Pra edhe njëherë për opinionin e gjerë publik, po rikujtojmë se nëse ky ligj nuk hyn në fuqi i atakon rreth 60 mijë të punësuar në sektorin publik dhe mund të imagjinohet se çfarë pasojash sjell për ekonomitë e tyre familjare”, ka thënë Jasharaj.
Sidoqoftë, ligji i ri për pagat e shërbyesve civilë është thënë se do të hyjë në fuqi këtë dhjetor, mirëpo Avokati i Popullit ka në dorë këtë çështje pasi është duke shqyrtuar ndonjë shkelje./Reporteri.net