Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se ministria e Infrastrukturës, ka autorizuar kompanitë për mirëmbajtje të rrugëve të udhëtojnë drejt Shqipërisë, që ti dalin në ndihmë ekipeve të kërkim shpëtimit.
Gjithashtu bëhet e ditur se gjashtë kompani tashmë kanë arritur në Shqipëri të udhëhequra nga zyrtarët e ministrisë, shkruan Reporteri.net
“Ky veprim është bërë në dakordim me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe bazuar në legjislacionin e Kosovës në fuqi, pas iniciativës së kryeministrit Ramush Haradinaj që të ndihmohet Shqipëria me të gjitha kapacitetet”, thuhet tutje në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Prishtinë, 26 nëntor 2019
Të prekur thellësisht nga tragjedia që ka goditur Shqipërinë, ju njoftojmë se ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka autorizuar kompanitë e angazhuara për mirëmbajtje të rrugëve, të udhëtojnë drejt Shqipërisë, që me punëtorët e tyre dhe mjetet e punës, t’i dalin në ndihmë ekipeve të kërkim shpëtimit. Tashmë kanë arritur në Shqipëri 6 kompani të organizuara dhe të udhëhequra nga zyrtarët e ministrisë.
Ky veprim është bërë në dakordim me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe bazuar në legjislacionin e Kosovës në fuqi, pas iniciativës së kryeministrit Ramush Haradinaj që të ndihmohet Shqipëria me të gjitha kapacitetet.
MIT vazhdon të jetë e gatshme për koordinim të vazhdueshëm dhe efikas për të ndihmuar këtë situatë shqetësuese.