Shqipëria është goditur sot nga një tërmet i fuqishëm, i cili ka lënë të vdekur dhjetëra persona, qindra të lënduar dhe dëme materiale në disa qytete të vendit.
Ndonëse ende nuk ka një bilanc të saktë, raportohet se nën rrënoja ka ende njerëz. Si pasojë e kësaj edhe shumë persona kanë mbetur pa kulm mbi kokë.
Në ndihmë personave të goditur nga tërmeti në Shqipëri gjatë gjithë ditës u kanë dalë edhe qytetarët e Kosovës. Ata kanë ofruar para dhe kanë hapur shtëpitë e tyre për të prekurat nga tërmeti më i fuqishëm që ka goditur vendin nga viti 1979, shkruan Reporteri.net.
Përveç ndihmës që iu është bërë Shqipërisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, janë edhe një grup tifozësh nga Klubi futbollistik “DRITA” në Gjilan, të cilët janë organizuar duke grumbulluar kështu veshmbathje dhe gjëra të ndryshme udhqimore në shenjë solidariteti për SHqipërinë.
Ndryshe, ndihmat do ti pranojnë nga qytetarët deri në orën 21:00. Pra, deri në momentin kur edhe do të nisen nga Gjilani drejt Shqipërisë.
Kujtojmë se Forcat e Sigurisë së Kosovës ndodhen në Shqipëri në ndihmë të autoriteteve shqiptare, dhe Qeveria në largim e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro ndihmë për të prekurit nga tërmeti. /Reporteri.net.