×
  • Lajme
  • Lajme

    Kush ishte ish-prokurori që u gjet i vdekur sot në banesën e tij

    Reporteri
    05 Dhjetor 2019 | 12:28

    Policia e Kosovës, ka konfirmuar se është gjetur i vdekur ish-prokurori Agron Matjani.


    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, ka konfirmuar se një person është gjetur i vdekur por nuk ka dhënë detaje, por burime të Reporteri.net mësojnë se bëhet fjalë për ish-prokurorin Matjani.

     Kush ishte prokurori Agron Matjani?

    Me 5 nëntor të këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pati ngritur aktakuzë ndaj ish-prokurorit Agron Matjani.

    Ai dyshohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

    Sipas prokurorisë Matjani në cilësinë e personit zyrtar, pra si Prokuror i Shtetit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, me dashje e ka keqpërdorur pozitën dhe detyrat e prokurorit.

    Matjani sipas prokurorisë akuzohej pasi në disa raste penale, në cilësinë e personit zyrtar- prokuror, në mënyrë drastike e ka zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, dhe në këtë mënyrë për kryesit e veprave penale ka siguruar dënime shumëfish më të lehta se sa e parasheh ligji për veprat penale të cilat i kanë kryer.

    Me 22 nëntor në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Matjani e pati mohuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohej nga Prokuroria.

    Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores speciale, Merita Bina-Rugova, ish-prokurori Matjani kishte deklaruar se nuk e kishte të qartë aktakuzën.

    “Aktakuzën nuk e kam të qartë. Thuhet me qëllim të ofrojë dobi materiale, kush i shqipton dënimet a unë i shqiptoj a, unë nuk e kuptoj këtë pjesë”, ka deklaruar i akuzuari.

    Ai madje pati kërkuar, nga gjykata t`i caktohej një avokat sipas detyrës zyrtare “për shkak se kam probleme shëndetësore dhe jam i papunë”, pati thënë ai.

    Mediat para 10 muajve raportuan se Agron Matjani, në atë kohë prokuror në Departamanentin e Krimeve të Rënda në Gjakovë ishte suspenduar nga puna. Suspendimi kishte ardhur për shkak të fyerjeve që ai i kishte bërë një prokurori tjetër në Prizren.

    Matjani ishte hetuar edhe për një vepër tjetër, që ka të bëjë me kërcënim ndaj gruas së vëllait të tij.

    E dëmtuara me inicialet S.M e kishte raportuar rastin në Policinë e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, në ditën kur ishte mbajtur një seancë gjyqësore në të cilën prokurori e kishte përfaqësuar vëllain e tij, i cili ishte palë në këtë çështje.

    Vesel Gashi, zëdhënësi i Policisë në Prizren, e pati konfirmuar se S.M kishte paraqitur rastin në polici si kanosje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!