Problemi më i madh i tifozëve kosovarë, ka qenë mënyra se si ta blejnë një biletë për t’i shikuar ndeshjet e Kombëtares së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Përkundër kërkesave të jashtëzakonshme nga qytetarët për ta blerë një biletë, sistemi Online i shitjes “Tiks.app”, shumicën e kohës ishte i pa qasshëm, shkruan Reporteri.net.
Ndërkaq, në emisionin “Dueli Sportiv”, prodhim i televizionit Dukagjini, zëvendës sekretari i shkarkuar nga FFK, Arianit Ahmeti ka zbuluar prapaskenat që jo të gjitha biletat kanë dal në shitje.
“Agim Ademi tërë kohën ka dezinformuar. Lënda për bileta ka shkuar edhe ne prokurori, kam pasur shumë presion. Online nuk shiten të gjitha biletat”, tha Ahmeti për TV Dukagjini.
Ai shkon tutje, ku thotë se shumë bileta janë dhënë falas.
“Në lojën me Anglinë 2939 bileta janë shitur online apo 15 për qind, 7733 janë porositur nga FFK, kurse 19 bileta kanë qenë të pashitura. Në ndeshjen me Malin e Zi, 4635 bileta janë shitur, 5046 nga FFK”, tha Ahmeti për Duelin Sportiv.
Kujtojmë se nga kërkesa e madhe e qytetarëve për bileta, personat që janë kyçur një herë në sistemin online “Tiks.app”, kanë pasur mundësin që t’i blejnë vetëm dy bileta, por disa nga ta këto bileta i kanë hedhur në platformën online të shit-blerjeve, “MerrJep”.
/Reporteri.net/