×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Cakaj nis takimet me zyrtarë të lartë në Washington

    Reporteri
    03 Prill 2019 | 10:09

    Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj nis vizitën e tij në SHBA ku ndodhet për të marrë pjesë në Ministerialin e NATO-s, si dhe për të zhvilluar një sërë takimesh dypalëshe me përfaqësues të lartë amerikanë dhe homologë të tij nga vendet aleate.

    Në ditën e parë të qëndrimit në Uashington,Cakaju takua me senatorin Ron Johnson, Kryetar i Nënkomitetit të Senatit për Europën dhe Bashkëpunimin e Sigurisë Rajonale si dhe kongresmenin Lee Zeldin.

    Gjatë këtyre takimeve, zyrtarët e lartë amerikanë diskutuan me Ministrin në Detyrë Cakaj rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, përpjekjeve të saj në kuadër të reformave për hapjen e negociatave si dhe rolin e rëndësishëm që ajo luan në Ballkanin Perëndimor.

    Në fokus të këtyre takimeve ishin gjithashtu përgatitjet e Shqipërisë për marrjen e kryesisë së radhës së OSBE-së në vitin 2020, lobimin e saj për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurisë së OKB-së dhe angazhimet e saj në kuadër të Aleancës Atlantike të Veriut.

    Senatori Ron Johnson dhe Kongresmeni Lee Zeldin, vlerësuan dhe mbështetën masat e marra nga Shqipëria përsa i përket reformave që do t’i hapnin rrugën fillimit të negociatave në qershor 2019.

    Zyrtarët amerikanë shprehën gatishmërinë e tyre maksimale për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian dhe për të rritur kontaktet dypalëshe në dobi të avancimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!