Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, e nisi ditën e mërkurë me një takim me 3 punonjësit e Policisë Rrugore, të cilët ndaluan dhe arrestuan në flagrancë grabitësin në Tiranë, në tentativën për t’u larguar.
Ngjarja ndodhi të premten e kaluar, kur një kambist u grabit me dhunë, ndërsa policia rrugore vuri në pranga 35-vjeçarin Elvis Tafa.
Lleshaj shprehu vlerësimin maksimal dhe theksoi se ky është modeli i suksesit që duhet nxitur, motivuar dhe përhapur në të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit.
“Na duhet pikërisht ky model; modeli i një polici, i cili është vigjilent, është i përgatitur, është profesionist, por është i guximshëm dhe trim për të bërë detyrën. Këtë kërkojnë të gjithë shqiptarët, këtë kërkon gjithë Policia e Shtetit dhe ky është modeli i suksesit, që ne kërkojmë ta nxisim, ta motivojmë dhe ta përhapim në të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit”, është shprehur ministri.
Më tej ai nënvizoi se Policia Rrugore duhet të jetë e mirë trajnuar dhe profesioniste, pasi është e para që ndeshet në mënyrë të përditshme me një pjesë të madhe të problematikave të sigurisë që shfaqen në rrugët e vendit.
“Në rrugët e vendit lëvizin edhe të mirat, por edhe të këqijat dhe besoj ju e dini më mirë se kushdo se sa problematikë paraqitet në rrugët e vendit, jo vetëm në kuptimin e shkeljes së rregullave të trafikut apo të qarkullimit rrugor, por dhe në kuptim të sigurisë dhe ne duam dhe kërkojmë që sidomos Policia Rrugore, të kuptojë mirë që nuk është një Polici e thjeshtë për të menaxhuar trafikun, por në radhë të parë është një element i rëndësishëm i strukturave të rendit dhe të sigurisë. Për këtë qëllim jam shumë i gëzuar me veprimin tuaj, sepse keni treguar pikërisht atë që duhet të jetë Policia Rrugore, të ndeshet e para me krimin dhe këtë e keni bërë në mënyrë shembullore. Keni mirënjohjen dhe respektin e shumë qytetarëve shqiptarë. Besoj edhe e keni ndjekur çfarë reagimesh pozitive, gati entuziaste ka patur për atë gjest tuajin, i cili dëshmon se qytetarët e këtij vendi mund të kenë besim dhe duhet të kenë besim tek policia jonë dhe përmes këtyre veprimeve, ju kontribuoni që qytetarët e këtij vendi të shtojnë besimin, i cili është parakusht për suksesin e Policisë”, ka thënë Lleshaj.