Gazetarja dhe komentatorja e sportit, Qëndresa Krelani – Qeqa, ka dhënë dorëheqje nga detyra e anëtares së Bordit të Shoqatës së Gazetarëve të Sportit të Kosovës (ShGSK).
Ajo është shprehur e pakënaqur stilin dhe mënyrën e komunikimit dhe punës në këtë Shoqatë, prandaj ka vendosur të tërhiqet.
“Dihen kontributet e mia ndaj Shoqatës. Vitin e kaluar ceremonia “Ali Shala” ka qenë në rrezik të anulimit për shkak të mungesës së sponsorëve. Për të shpëtuar nga një dështim i tillë, sponsor i ceremonisë jam bërë unë me paratë e mia personale në baza vullnetare (paratë më janë kthyer pas 4 muajsh nga Ministria). Pra, ky veprim i imi tregon mjaftueshëm besnikërinë time si anëtare e Bordit dhe se nuk më intereson aspak pozita apo arritja individuale në krah të Shoqatës”, ka thënë Qëndresa Krelani pas dorëheqjes.
“Prezenca e çdo femre në Bord nuk duhet të mjaftojë me sigurimin e një ulëse që ndryshe quhet ”Zona e Rehatisë”.
“Përpos sekretarit dhe kryetarit, prezenca e femrave të Bordit nëpër takime, simpoziume, aktivitete etj është gati jo ekzistuese. Edhe nëse jemi prezente, nuk kemi asnjë ulëse në panel ashtu siç ndodhi në Seminarin me të ftuarin e mirënjohur, komentatorin John Murray ku të gjithë në panel ishin meshkuj. Ky nuk është shembull i duhur dhe aspak nuk përputhet me misionin që ka Shoqata”.“Përgatitjet e mia profesionale për të cilat jam votuar, nuk përputhen me metodat, stilin dhe komunikimin patriarkal të këtij Bordi. Prandaj me shumë kënaqësi ia lë vendin një tjetër femre gazetare, e cila shpresoj do të ndikojë në vetë dijësimin e misionit që ka Shoqata, duke mos lejuar të ngatërrohen orekset individuale me ato profesionale”, ka sqaruar Krelani për vendimin e saj.Ajo ka theksuar se është e pakënaqur me trajtimin jo korrekt që u bëhet gazetareve dhe femrave në përgjithësi.