×
  • Sport
  • Sport

    Liverpooli synon trofeun e vetëm që i mungon në koleksion, sot gjysmëfinalja

    Reporteri
    18 Dhjetor 2019 | 12:10

    Liverpooli do të tentojë të shkojë një hap më afër trofeut të Kupës së Botës për Klube – që s’e ka fituar asnjëherë në histori të vet – sot në orën 18:30, kur do të përballet me klubin meksikan Monterrey në gjysmëfinale të këtij turneut, në Doha të Katarit.


    Jose Mourinho e ka cilësuar Kupën e Botës për Klube si trofe dhe garë të vogël, mirëpo portugezi s’ka arritur ta fitojë këtë trofe asnjëherë. As Liverpooli s’e ka fituar këtë trofe. Nga katër gjysmëfinalistët e këtij viti, vetëm Flamengo e ka fituar atë, pasi e kishte mposhtur Liverpoolin në vitin 1981, transmeton Express.

    Liverpooli është shpallur kampion i Evropës plot gjashtë herë, mirëpo s’ka arritur të bëhet kampion botëror asnjëherë në histori të vet, duke humbur tri herë në finale. Ky trofe mbetet i vetmi që mungon në koleksionin e gjigantit anglez.

    Klubi anglez kishte refuzuar të luante në këtë turne në vitet 1977 dhe 1978, pasi që s’kishte qenë i gatshëm të udhëtojë mijëra kilometra dhe ta ngarkojë agjendën e vet të ndeshjeve për këtë turne.

    Tani, skuadra e drejtuar nga Jurgen Kloppi ka synim plotësisht tjetër. Liverpooli e la anash Carabao Cup në Angli, nga ku u eliminua dje pasi luajti me ekipin e të rinjve kundër Aston Villës, duke e bërë prioritet Kupën e Botës për Klube.

    Fituesi i gjysmëfinales mes Liverpoolit dhe Monterreyt do të përballet në finale me kampionen e Copa Libertadores, Flamengon, pasi që skuadra braziliane triumfoi me rezultat 3:1 në gjysmëfinalen kundër Al Hilal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!