×
  • Sport
  • Sport

    Kosova së shpejti nis përgatitjet për kualifikueset e Kampionatit Botëror

    Reporteri
    20 Dhjetor 2019 | 12:22

    Ramadani i kënaqur me konkurrencën në kombëtaren e Kosovës në hendboll Kosova së shpejti do të fillojë përgatitjet për fazën kualifikuese të Kampionatit Botëror.


    Ekipi kosovar do të garojë në fazën e parë kualifikuese evropiane për Kampionatin Botëror të vitit 2021. Dardanët janë në grupin e tretë së bashku me Italinë, Rumaninë e Gjeorgjinë.

    Më 10 janar Kosova do të luajë me Italinë, më 11 janar me Rumaninë kurse më 12 janar me Gjeorgjinë. Fituesi i grupit avancon në raundin tjetër, kurse ndeshjet do të luhen në Benevento të Italisë.

    Selektori i Kosovës, Taip Ramadani ka shpallur listën me emrat e lojtarëve, në të cilët llogarit për garën kualifikuese. Ai ka thënë se është shumë i kënaqur me konkurrencën në kombëtaren e Kosovës në hendboll.

    Ai ka theksuar se ka pasur vështirësi për të përzgjedhur ekipin për shkak të konkurrencës kurse thekson se synim në garën kualifikuese në Itali do të jetë kalimi në rrethin tjetër të garave.

    “Seleksionimi i këtij ekipi ka qenë ndër më të vështirët që kemi bërë viteve të fundit. Ka konkurrencë të madhe në të gjitha pozitat dhe jam shumë i kënaqur që kam filluar të ndjejë një vullnet të lartë në mesin e lojtarëve për të përfaqësuar shtetin tonë. Po e vërej një rrymë të re dhe shpresoj ta shprehim këtë energji në fushë të hendbollit”, ka thënë Ramadani.

    Ai ka folur edhe për tre debutuesit.

    “Në këtë grumbullim kemi ftuar për herë të parë Liridon Zenën që e kemi përcjellë për tri vite. Është portier që me vite aktivizohet në Kroaci, kurse po ka një stinor të shkëlqyeshëm me klubin e tij. Për herë të parë në ekipin A na bashkohet Albin Xhafolli, që mori pjesë në kampionatin botëror për juniorë në Spanjë dhe më ka lënë mbresa të mira si teknik i shkëlqyeshëm. Kemi ftuar në këtë grumbullim edhe Leonard Gegajn. 18-vjeçari është një lojtar i së ardhmes sonë. Është pjesë e Savehofit në Suedi ku luan edhe Gëzim Salihi”, ka deklaruar Ramadani, derisa ka qenë i prerë për synimet në Itali.

    “Kemi një synim në Itali, të kalojmë në fazën e dytë. Kemi ekip cilësor që gjithnjë është në ngritje. Më nuk duhet të kënaqemi vetëm me paraqitje dinjitoze. Duhet të jemi ambicioz, të luftojmë të barabartë me çdo ekip dhe të besojmë në aftësitë tona”, ka shtuar ai.

    Përgatitjet do të nisin më 27 dhjetor në Prishtinë, ndërsa para udhëtimit në Itali do të luhen dy ndeshje kontrolluese me Kuvajtin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!