Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur para pak minutave Grupin Parlamnetar. Ky takim i tyre po ndodhë pak orë para se partneri i tyre i mundshëm për qeveri, lideri i VV-së, Albin Kurti të takojë presidentin e vendit, Hashim Thaçi për të diskutuar rreth mandatarit të Qeverisë.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pritet të mbledhë edhe Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm, shkruan Reporteri.net.
Albin Kurti tha sot se ka bërë përpjekje të takojë Mustafen këto ditë, por ato kanë rezultuar pa sukses.
Kurti ka thënë se sot do të shkojë në takim me presidentin e vendit, Hashim Thaçin pa pasur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Sot u bënë tre muaj nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, kur qytetarët masivisht votuan edhe për ndryshime politike në vend edhe e bënë Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjekt të parë e fitues. Më 26 dhjetor 2019, në seancën konstituive të legjislaturës së shtatë u detyruam të shkojmë pa marrëveshje me LDK-në. Sot, më 6 janar 2020, në takim konsultativ me Presidentin e Republikës, sërish jam i detyruar të shkoj pa marrëveshje me LDK-në. Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme, nuk m’u bë e mundur të kem një takim me kryetarin e LDK-së para këtij takimi të sotëm me Presidentin e shtetit”, ka deklaruar Kurti
I njëjti ka thënë se nuk ka kohë për të humbur, derisa, ju bën thirrje LDK-së që të propozojë emrat e ministrive, ndërsa, ka publikuar edhe emrat të cilët i ka propozuar ai.
“Të dashur qytetarë të Republikës, Askush prej nesh nuk e ka menduar që viti i ri 2020 do të na zë pa qeveri. Si Kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i juaji politik që ka marrë më së shumti vota në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, theksoj se nuk kemi kohë për të humbur. Koha që po ikën pa kthim nuk është kohë private e individuale e politikanëve, por është kohë e shtetit dhe kohë publike, e të gjithëve e për të gjithë. I bëj thirrje udhëheqjes së LDK-së që sa më parë t’m’i dërgojë emrat e pesë ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit apo të zëvendëskryeministres së parë nga radhët e saj”, shton ai.