Stuhia e erës dhe temperaturat nën zero gjetën në çadra shumë banorë, të cilët u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit.
Zona e Ishmit është nga më të prekurat nga ky tërmet.
Një pjesë e mirë e banorëve kanë zgjedhur të ngrenë çadrat para shtëpive që tashmë i kanë të pabanueshme.
Emisioni “BOOM” ishte sot pranë këtyre banorëve për ti pyetur sesi ka qenë jeta e tyre në çadër gjatë këtyre ditëve të acarta.
Çadra është strehë për këtë familje, me fëmijë të vegjël dhe një invalide.
“Më keq nuk ka. Çunin e kam çuar tre herë në spital se është ftohur. Edhe vetë kam qenë në spital se jam invalide. Një ndihmë nuk kam parë. Çadrën ma ka sjellë i plotfuqishme me forcë. 14 ditë kam qëndruar në makinë.Shtëpia është e pabanueshme. Unë këtu. Mbajmë hekurat me dorë se na pat marrë me vete era.”
“Dua një shtëpi të re” thotë vogëlushi mes lotëve.
E njëjta situatë në një tjetër çadër.
“Nuk kemi ngrohje.Shtëpiat janë copëtuar.”
“Janë çadra verore, i kemi vënë plastmas të mos depërtojë shiu, se hyn shiu. Nuk rrihet më, është shumë ftohtë. Nuk kanë ofruar bunus qiraje, asgjë. Njëherë ka ardhur një grup inxhinierësh, shtëpia është e pabanueshme thanë dhe ikën.”
Hallet nuk kanë të sosur as në këtë çadër, ku jetojnë një çift me fëmijën dhe plakën.
“Para një jave kam qenë në spital. Dje kam ardhur. Nga ftohja.”
“Çadra është për dy veta, ne këtu banojmë 5 veta. Unë me gruan përtokë”.
“Mbrëmë ishte erë e fuqishme, gjithë natën pa gjumë se mos na ikën çadra” thotë një tjetër banor.