Në përgjigjen e parë të zgjeruar të Manchester Cityt për suspendimin e tyre evropian, shefi ekzekutiv Ferran Soriano këmbëngul se akuzat janë “të rreme”.
Klubi është goditur me një pezullim dy-vjeçar nga kompeticionet evropiane të organizuara nga UEFA pasi u shpallën fajtor për shkeljet e rregullave të Fair Play Financiar – një vendim që klubi synon të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport.
Dhe Soriano ishte i vendosur në qëndrimin e Cityt, duke thënë se ata do të bëjnë gjithçka të mundur për të vërtetuar se akuzat janë të rreme.
“Epo gjëja më e rëndësishme që duhet të them sot është se akuzat nuk janë të vërteta. Ato thjesht nuk janë të vërteta. Tifozët mund të jenë të sigurt për dy gjëra. E para është se akuzat janë të rreme. Dhe e dyta është se ne do të bëjmë gjithçka që mund të bëhet për të provuar këtë që po them. Ne e dimë që tifozët po na mbështesin. Ne mund ta ndiejmë atë. Tifozët e MCFC kanë kaluar sfida gjatë dekadave. Kjo është vetëm një sfidë tjetër. Ne do të rrimë së bashku, do ta kalojmë edhe këtë dhe nuk do t’i lëmë tifozët”, u shpreh Soriano.
“Pronari nuk ka dhënë para në këtë klub që nuk janë deklaruar siç duhet. Ne jemi një klub i qëndrueshëm futbolli, jemi fitimprurës, nuk kemi borxhe, llogaritë tona janë shqyrtuar shumë herë, nga auditorët, nga rregullatorët, nga investitorët dhe kjo është krejtësisht e qartë. Ne jemi në kërkim të një rezolute të hershme padyshim përmes një procesi të plotë dhe një procesi të drejtë, kështu që shpresa ime më e mirë është që kjo të përfundojë para fillimit të verës dhe deri atëherë për ne, është biznes si zakonisht”, thuhet më tej në reagimin e klubit përmes drejtorit Soriano./Koha/