×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca takon Lajçakun, i kërkon njohjen e Kosovës

    Reporteri
    27 Shkurt 2020 | 22:36

    Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar sot homologun e tij sllovak, Miroslav Lajçak.


    Konjufca thotë se i ka kërkuar që pesë vendet e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Sllovakinë, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta njohin.

    “Sot kam zhvilluar një takim bilateral me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Takimi është zhvilluar në Pragë para Konferencës së vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor. Ndër tjera e kam falënderuar ministrin Lajçak për mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për qëndrimin mbështetës rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

    Konjufca thotë se Sllovakia e mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.

    “Gjithashtu kam theksuar se është me rëndësi që pesë vendet e Bashkimit Evropian përfshirë Sllovakinë, të lëvizin drejt njohjes së Republikës së Kosovës. Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm i Sllovakisë Lajçak ka theksuar se përkundër faktit që Sllovakia nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, Qeveria e Sllovakisë e mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe liberalizimin e vizave”, ka shkruar Konjufca.

    Konjufca me këtë rast ka thënë se Kosova është e gatshme për dialogun me Serbinë.

    “Unë e kam theksuar në këtë takim se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i shmanget dialogut dhe është e gatshme për këtë. Në të njëjtën kohë unë kam bërë të ditur se Serbia e ka keqpërdorur dialogun në lobimin për çnjohjen e Republikës së Kosovës duke e paraqitur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve si dialog për statusin e Kosovës dhe kjo nuk duhet të lejohet më”, ka thënë Konjufca.

    “Në fund të takimit i kam dorëzuar ministrit Lajçak një listë me rastet konkrete ku Serbia aplikon njëanshëm barriera jotarifore”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!