Paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqjen e pjesshme të taksës nuk është pritur mirë nga aleati kryesorë i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo ky vendim është përshëndetur nga Bashkimi Evropian, i cili e ka cilësuar si hap pozitiv drejt rifillimit të dialogut.
Të tillë e ka cilësuar edhe raportuesja për për Kosovën, Viola von Cramon.
Teksa ka shpërndarë postimin e ambasadorit gjerman, Cramon ka thënë se ky është sinjal pozitiv i cili duhet të vlerësohet nga Këshilli i Evropës, shkruan Reporteri.net.
“Sinjal shumë i rëndësishëm nga Albin Kurti. Kjo duhet të vlerësohet nga Këshilli i Evropës, veçanërisht në Berlin, dhe të hiqet regjimi i vizave për Kosovën”, ka shkruar ajo.
Kujtojmë se gjatë ditës Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt ka thënë se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të nisur heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, është një hap i rëndësishëm që mund të çojë drejt rinisjes së dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
I dërguari i presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell, një lëvizje të tillë të Kurtit e ka quajtur “gabim të madh”.