×
  • Lajme
  • Shqipëria

    100-vjeçari që mori pjesë në Kongresin e PS-së ka qenë prokuror në komunizëm, e shkuara e errët

    Reporteri
    29 Shkurt 2020 | 22:58

    Ziqiri Mero, 100 vjeç, u ngjit sot në skenën e Pallatit të Kongreseve. Për të pranishmit në Kongres nuk ishte ndonje ngjarje e jashtëzakonshme dhe donin ta kalonin lehtë, por Kryeministri dhe kryetari i tyre Edi Rama i detyroi që të ngriheshin në këmbë dhe të duartokisnin. Rama i befasuar, e prezantoi Meron si socialistin me të ri dhe tha me të madhe se ishte plot 100 vjeç.


    Mosha e impresionoi Kryeministrin, pasi detyroi të gjithë anëtarët e PS të qëndronin në këmbë në çdo sekonde që Ziqiri foli. U prezantua si një anëtar i PS, me bindje të majta dhe veteran lufte.

    Ziqiri Mero mes socialistëve të tjerë u entuziazmua dhe uroi vetëm sukese për forcën politike që ai mbështet.

    Por kush është Zeqir Mero, veterani 100-vjeçar që Rama e puthi në ballë?

    Sipas disa dokumenteve të publikuara nga historiani Dashnor Kaloçi, por dhe shkrimeve që gjenden në arkivën e mediave, Mero rezulton të ketë qenë ushtarak i lartë gjatë kohës së regjimit komunist. Në vitin 1945 Mero ka zbatuar një radiogram urgjent të firmosur nga Enver Hoxha, me cilësinë e Komandantit të Pergjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Ky readiogram aprovonte dënimin me vdekje të gjashtë personave, gjykuar nga një Këshill Gjyqsor Ushtarak i Divizionit të III-të, të Korparmatës se Dytë, të kryesuar nga Kryetari, Irakli Bozo (major) dhe prokuror, Ziqiri Mero, kapiten i parë.

    Por emri i Meros del dhe në kujtimet e Ylli Polovinës i cili, në një shkrim të tij ndër të tjera shprehet: Kur prokurori Zeqiri Mero do të jepte pretencën tha papritur se i dhembte koka dhe se gjyqi duhej të shtyhej për të nesërmen në mëngjes. Kështu të akuzuarit i çuan në birucë dhe kur sapo u hap dita e re i lidhën sërish me pranga dhe me litar. Historia e Meros nuk mbaron këtu pasi ai ka marrë një dekoratë nga Rusia në vitin 2015, me motivacionin se ka qenë i angazhuar në formacionet partizane, në zona të ndryshme të vendit, duke luftuar kundër pushtuesve fashistë. Në nder të tij gjithashtu një rrugë në Korçë mban emrin e tij.

    Nga ana tjetër dhe Kastriot Dervishi në një shkrim të publikuar sot bën me dije se Zeqiri Mero është një enverist, i cili është shprehut kundër dekorimit të nënave dhe fëmijëve që vuajtën në Kampin e Tepelenës. “Enveristi në kongres. Në tribunën e kongresit doli sot enveristi Ziqiri Mero, ish ushtarak i lartë i regjimit komunist, anëtari më i vjetër i partisë. Edhe udhëheqësi e puthi në ballë. Mero njihet si agjitator i organizatës së “veteranëve” në mbrojtje të figurës së terroristit enver hoxha.

    Për të mos u zgjatur shumë, kujtoj se dy vjet më parë mero u shpreh kundër dekorimit të nënave dhe fëmijëve që vuajtën në kampin e Tepelenës në vitet 1949-1953, sepse i quante “kolaboracionistë”. Kësisoj, në kongresin pa numër, një kampion enverizmi u evidentua në tribunë dhe kongresistët u çuan në këmbë me urdhër për të respektuar subjektin. Do ishte me interes që nëse kampi në fjalë do arrijë të bëhet muze kombëtar, të kishte edhe foton e meros aty, si mbrojtës i flaktë i krimeve të diktaturës në kohët e sotme. Nuk pres ta bëjë “Harabeli” këtë se ai është në anën e Meros”, shkruan Dervishi.

    Partia Socialiste ka zhvilluar sot ditën e dytë të Kongresit. Punimet në Pallatin e Kongreseve nisën me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar. Kryeministri Edi Rama dha dy lajmë të rëndësishme. 1. Premtoi se në janar të vitit 2021 paga minimale do të shkojë deri më 30 mijë lekë të reja. 2. Do të lancohet një amnisti për emigrantët që të deklarojnë pasurinë që kanë vënë nga puna jashtë Shqipërisë, në mënyrë që të mund ta deklarojnë në bankë./dosja

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!