Lokacioni për ndërtimin e stadiumit të Kombëtares së Kosovës pritet të jetë një prej temave që pritet t’i përplas në një të ardhme të afërt partitë në pushtet me opozitën, veç nëse qeveria “Kurti”, vendos që stadiumi të rikthehet për t’u ndërtuar në Bërnicë të Prishtinës, e jo në Koreticë të Drenasit.
Por nëse kihet parasysh deklarimi i Lumir Abdoixhikut nga LDK (tani ministër i Infrastrukturëas), lokacioni do të ndryshojë, dhe do rikthehet në Bërnicë.
Por partia e parë opozitare, PDK paralajmëron qeverinë që nëse veç ndërmerret një hap i tillë do ta kundërshtojnë fuqishëm.
DeputetI i PDK-së, Bekim Haxhiu, i njohur edhe si “Kamishi” thotë se të gjitha procedurat për ndërtim të stadiumit kanë përfunduar dhe qeveria e re duhet të ec tutje me ndërtimin, dhe nuk ka arsye të kthehet mbrapa dhe të gjuajë në lloç paratë që janë shpenzuar deri më tani.
“Është bërë fizibiliteti i projektit në detaje, janë investuar mijëra euro. Çdo vendim për ta ndryshuar lokacionin është hudhje në baltë e parasë publike. Tash duhet vetëm të vazhdohet tutje me ndërtimin e stadiumit, në të kundërtën nëse ndryshohet lokacioni do të shkaktohen vonesa 4 apo 5 vjeçare. Andaj duhet të ecin tutje, pasi lokacioni në Koreticë të Drenasit është në mes të Kosovës, afër aeroportit, afër të gjitha qyteteve të Kosovës, është me regjion 01 të Prishtinës, pra duhet të jenë vigjilent dhe ta shikojnë interesin nacional dhe jo inatet politike”, ka thënë Haxhiu për Reporteri.net.
Ai ka paralajmëruar se si opozitë do ta kundërshtojnë nëse qeveria e re vendos që ta rikthej ndërtimin e stadiumit në Bërincë.
“Do ta kundërshtojmë sepse hudhet paraja publike në lloç, kjo vetëm për inate regjionale, sepse lokacioni afër Parkut të Biznesit, është më afër Prishtinës se Drenasit. Veç nëse ndodhë, kemi me kundërshtu me të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike”, ka thënë Kamishi për Reporteri.net.
Ndërsa për këtë çështje për Reporteri.net ka folur sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se së shpejti pritet të takohen me qeverinë “Kurti” për të diskutuar për ndërtimin e stadiumit nacional.
Kujtojmë se ish-qeveria “Haradinaj” kishte vendosur që stadiumi të ndërtohet në Koreticë të Drenasit, pasi kishte thënë se i përshtate kushteve që të jetë një stadium i Kombëtares, sepse është në mes të Kosovës, ka aeroportin afër dhe ka qasje në rrugën kryesore.
Por ky vendim është kundërshtuar në vazhdimësi nga LDK, e cila kishte parapa që stadiumi të ndërtohet në Bernicë të Prishtinës. /Reporteri.net/.