×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidenti në Amerikë, Kurti letër Trumpit, ultimatumi i LDK-së dhe seanca e opozitës – java përcaktuese për raportet me SHBA-në

    Reporteri
    02 Mars 2020 | 16:12

    Dy presidentët, ai i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai Serbisë, Aleksandër Vuciq ndodhën në Ushaington. Derisa i pari ka përfunduar takimet e nivelit të lartë në Shtepinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Pentagon, i dyti i ka filluar sot ato, shkruan Reporteri.


    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të hënën pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo se është mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara që siç tha ai “dëshirojnë të na dëgjojnë, i kuptojnë problemet tona dhe për respektimin e Serbisë”.
    Nuk mund të pres më shumë se kaq, iu tha presidenti gazetarëve nga Uashingtoni ku u shoqërua nga Ambasadori amerikan në Beograd Anthony Godfrey.

    “Serbia ka nevojë për Shtetet e Bashkuara si mik”, tha presidenti serb.

    Në fakt prezenca e të dy ptresidentëve në SHBA, në të njejtën kohë, flet edhe për një përpjekje amerikane që këtë javë të përcaktojë rrugën e dialogut Kosovë – Serbi. Amerika po dëshiron marrëveshje të shpejtë, tash mundësisht. Në të kundertën janë permendur edhe ‘ndalesa për Kosovën’ nga Amerika, sidomos në projekte të ndryshme ekonomike.
    Edhe zyrtarë nga Kosova por edhe vetë zyrtarë amerikanë kishin apeluar për vendime të shpejta për heqjen e taksës nga ana e Kryeministrit, Albin Kurti, shkruan Reporteri.

    Isa Mustafa dje tha se është në të mirë të Koosvës që të hiqet taksa.
    “Nëse dikush luhatet, Lidhja Demokratike, deputetët e saj dhe anëtarët e qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës” shkroi Mustafa.

    Ambasadori Grenell duke e quajtur Isa Mustafën udhëheqës të guximshëm tha se “heqja e tarifave nesër (sot) do të ishte një fillim i shkëlqyeshëm për shumë më tepër përparim. Zhvillimi ekonomik nuk mund të ecë përpara derisa tarifat të mos hiqen”, shkroi zoti Grenell.

    Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti propozoi fillimin e heqjes së kushtëzuar të tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, që u vendosën në nëntor të vitit 2018 në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës. Ai tha se nga 15 marsi do të hiqen tarifat në lëndën e parë si shenjë e vullnetit të mirë dhe nëse Serbia i jep fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, më 1 prill do të hiqen tërësisht tarifat për një periudhë 90 ditëshe.

    Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi apeloi para dy dite për heqjen e taksës.
    “Kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura, e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet tona speciale me SHBA-në. Mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë. Prandaj, nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takim me Sekretarin Pompeo dhe me Këshilltarin për Siguri Nacionale, O’Brien. Edhe kërkesa ime e qartë si president për qeverinë, për spektrin politik dhe mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës është që pa humbur kohë të merren vendimet e duhura strategjike, të cilat i japin fund izolimit, i hapin mundësi dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe e forcojnë miqësinë e përhershme dhe bashkëpunimin strategjik me SHBA-në. Hezitimi eventual për vendime të shpejta, të mençura, të plota e jo të pjesshme është i panevojshëm, sepse këto vendime janë rruga e vetme për t’i arritur qëllimet tona shtetërore dhe strategjike”, ka shkruar Thaçi nga Amerika.

    Por, përtej këtyre zhvillimeve, kryeministri Kurti i ka dërguar letër Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, përmes së cilës deklaron propozimin e tij për taksë dhe thotë se për dialog ‘kryesori’ është ai.

    “Ne jemi të vetëdijshëm se gjatë dy viteve të fundit ka pasur mungesë të theksuar të koordinimit ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës për rolin, interesin dhe qëllimet në dialogun me Serbinë, si dhe për mungesën e qartësisë se kush flet në emër të Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe në tavolinën negociuese. Kjo do të përfundojë me qeverinë që drejtoj unë. Qeveria dhe unë si kryeministër kemi mandatin kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore, si dhe përgjegjësinë e plotë dhe ekskluzive për të marrë përsipër, udhëheqjen e këtij procesi dhe përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Presim me padurim të fillojmë punën me ju, diplomatët dhe emisarët tuaj, si dhe partnerët tanë në Bashkimin Europian, për ta çuar përpara këtë proces . Qeveria ime i sheh marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara si marrëdhënie me rëndësinë më të lartë strategjike për vendinn tonë, si aleancë që është e bazuar në vlera dhe interesa thellësisht të përbashkëta. Administrata juaj tashmë ka pasur ndikim të madh pozitiv në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë energji të reja dhe zbatueshmëri në zgjidhjen e problemeve, gjë që ne e mirëpresim jashtëzakonisht shumë. Mezi presim ta thellojmë partneritetin dhe të punojmë së bashku me Shtetet e Bashkuara në shtimin e mundësive ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e sigurisë rajonale, shtyrjen përpara të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe për çështjet e tjera”, shkruan Kurti në letrën e tij.

    Ai edhe sot në Kuvend dha shenja se nuk e ka ndërmend të heq dorë nga propozimi i tij, ani pse këtë nuka ia kanë pelqyer amerikanët. Ambasadori Grenell ia ka thënë hapur atë natë se ‘Kurti po bën gabim serioz’.

    Në seancë ndërkaq, opozita po e kundërshton sjelljen e Kurtit. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli theksoi se ‘ai mbehstetë pezullimin e taksës dhe se duhet ecë shpejt në dialog’. Nga AAK ndërkaq e kundërshtojnë secilen përpjekje për heqje të taksës.
    Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë të enjten se nëse “nesër hiqet taksa pa kushte dhe pa reciprocitet, të marten (sot) pritet të jenë në Shtëpinë e Bardhë për dialog.

    “Nëse taksa hiqet nesër, krerët e shtetit të martën do të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë për ta rifilluar dialogun”, është shprehur Hoti.

    Hoti kishte thënë se “Java tjetër është momentum në zhvillimin e dialogut”.

    Hoti ka minimizuar propozimin e sotshëm të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, për heqjen e pjesshme dhe të kushtëzuar të tarifës.
    Sipas tij, ajo çfarë ka bërë Kurti nuk mjafton për të përmbushur kërkesën e ndërkombëtarëve.

    “Ekziston një limit i ngushtë kohor që ne si qeveri e re të dalim në krye të proceseve. Nëse nuk dalim në krye të proceseve, nuk na falet”, është shprehur ai në T7.
    “Besoj që nuk ka kohë për zgjidhje. Nuk ka rrugë të ndërmjetme për partneritetin me SHBA-në”, ka deklaruar Hoti.

    “Nuk mund të jemi kreativ as në listimin e pikave të ndryshme, as në parafrazimin e çështjeve me elokuencë. Ka marrë fund ajo”, ka thënë zëvendësi i Kurtit.
    “Duhet ta ndjekim një rrugë bashkë me ta, për ta forcuar sovranitetin tonë”, ka shtuar ai.
    “Ndryshe, mbesim qeveri e izoluar, që nuk ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, ka vlerësuar Hoti./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!