×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidenti Thaçi i ka shkruar Pompeot letër për Gjykatën Speciale, përmend shqetësime

    Reporteri
    05 Mars 2020 | 12:58

    Më 29 nëntor të vitit të kaluar është nënshkruar nga presidenti Hashim Thaçi një letër drejtuar sekretarit të shtetit amerikan, Mike Pompeo, lidhur me Gjykatën Speciale.


    Ai shpreh shqetësimin për mënyrën se si kanë funksionuar Dhomat e Posaçme të Kosovës, duke potencuar se ka rezerva ndaj kësaj mënyre funksionimi, shkruan Reporteri.net.

    “Shpreh rezerva të mëdha, në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, që Dhomat e Posaçme të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës nuk e kanë përmbushur mandatin e vet siç ishte parashikuar”, shkruan Thaçi.

    Në letrën që e ka siguruar Reporteri.net, i pari i shtetit i ka kërkuar Amerikës që të marrë parasysh dhe të ndikojë në nisjen e reformave para se, siç thotë ai, çështjet të shkojnë më tej.

    “Ekzistojnë një sërë shqetësimesh të tjera të cilat minojnë seriozisht procesin që po ndërtohet në Hagë dhe që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të marrë parasysh urgjentisht këtë rast”, thotë presidenti në letër.

    Mirëpo, në letrën e Thaçit potencohet se nuk kërkohet shfuqizimi i kësaj gjykate, duke shtuar se kjo do ta dëmtonte kredibilitetin e Kosovës dhe pretendimet do të mbeteshin njollë.

    “Shfuqizimi ose minimi i punës, strukturës ose lokacionit të Dhomave të Specializuara ose Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në çfarëdo mënyre do ta dëmtonte seriozisht kredibilitetin e Kosovës në botë; pretendimet do të mbeteshin njollë e përhershme mbi Kosovën. Operimi i Dhomave të Specializuara, sipas formatit aktual është mënyra më e mirë që Kosova ta përmbyll këtë kapitull të historisë së saj dhe për t’ia mundësuar Shteteve të Bashkuara të kundërshtojnë argumentet e mohuesve të shtetit të Kosovës…”, shkruan ai.

    Ndryshe, Gjykata Speciale kohën e fundit ka dërguar dhjetëra ftesa për intervistim dhe tani janë paralajmëruar edhe aktakuzat e para./Reporteri.net


    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!