Gjermania është alarmuar nga përpjekjet e administratës Trump për të siguruar ekskluzivisht një vaksinë kundër koronavirusit vetëm për ShBA-në.
Në fundjavë mediat gjermane raportuan se firmës CureVac i janë ofruar 1 miliardë dollarë për të zhvendosur punën kërkimore në ShBA. Gjermania e quajti këtë një çështje të sigurisë kombëtare.
Administrata Trump u përpoq të bindë një firmë gjermane që po zhvillon një vaksinë kundër koronavirusit që të zhvendosë kërkimet shkencore në Shtetet e Bashkuara. Sipas zyrtarëve gjermanë një gjë e tillë ka ndezur alarmin në Berlin dhe ekziston frika se presidenti Trump synon ta sigurojë vaksinën ekskluzivisht vetëm për SHBA-në.
Oferta doli gjatë një takimi të zhvilluar më 2 mars në Shtëpinë e Bardhë ku mori pjesë shefi i atëhershëm ekzekutiv i firmës CureVac, Daniel Menichella, një shtetas amerikan. Në takim mori pjesë shkurtimisht presidenti Trump dhe më pas bisedimet u ndoqën nga nënpresidenti Mike Pence, që kryeson grupin e punës kundër koronavirusit.
Por disa ditë më parë, CureVac, lajmëroi largimin e zotit Menichella, që e kishte drejtuar firmën për dy vjet dhe zëvendësimin e tij me shtetasin gjerman, Ingmar Hoerr.
Pasi lajmi u publikua në gazetën gjermane Welt am Sonntag, se Trump ka ofruar 1 miliard dollarë për të siguruar ekskluzivitetin e vaksinës, Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte specifikisht, ndërsa tha vetëm se administrata ka folur me rreth 25 firma që po zhvillojnë vaksina.
Çështja është marrë me seriozitet nga kancelaria gjermane, ku ministri i Brendshëm Horst Seehofer, e quajti këtë jo vetëm një çështje ekonomike, por mbi të gjitha një çështje të sigurisë kombëtare. Pas qarkullimit të lajmit të dielën, disa ligjvënës reaguan me zemërim.
“Shitja ekskluzive e vaksinës në Shtetet e Bashkuara duhet të ndalet me çdokusht,” tha deputeti Karl Lauterbach, duke shtuar se “kapitalizmi ka një kufi.”
Më vonë u mësua se firma e ka refuzuar ofertën amerikane, ndërkohë që një pjesë e studimit është financuar me paratë e taksapaguesve.
Firma CureVac thotë se do të ketë gati një vaksinë imunizuese në muajin qershor ose korrik dhe më pas do të kërkojë autorizim për testimin e saj tek njerëzit.