×
  • Lajme
  • Botë

    Maqedoni e Veriut, “orë policore” nga ora 21:00 deri në ora 06:00

    Reporteri
    22 Mars 2020 | 15:23

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ka bërë të ditur se në kuadër të masave për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) nga dita e nesërme në mbarë territorin e vendit do të kufizohet lëvizja e qytetarëve, me qëllim për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), raporotn Anadolu Agency (AA).


    Pas seancës së 24-të qeveritare, Spasovski foli në një konferencë për media ku njoftoi vendimet shtesë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

    “Nga nesër ndalohet lëvizja e popullatës në periudhën nga ora 21:00 deri në ora 06:00. Kur bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve nuk ka kompromis. Masat patjetër t’i respektojmë të gjithë dhe vetëm në këtë mënyrë do të shpëtojmë popullin dhe shtetin. Tashmë asgjë nuk është e njëjtë, jeta ndryshohet në mënyrë radikale, si tek ne ashtu edhe në mbarë botën. Kjo situatë kërkon nga ne ndryshime të njëjta radikale edhe në jetën tonë të përditshme. Prandaj vendosëm edhe këtë masë”, deklaroi Spasovski.

    Spasovski theksoi se nga vendimi i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve përjashohen personat që kanë nevojë për ndihmë urgjente mjekësore, individët e tjerë në nevoja urgjente me leje të lëshuar nga policia, si dhe të punësuarit në shëndetësi, pjesëtarët e policisë, të ushtrisë dhe ekipet e zjarrfikësve të cilët do të kryejnë orarin e punës në ndërrime.

    Ai po ashtu tha se gjatë periudhës së ndaluar të lëvizjes së qytetarëve do të ndalohet edhe transporti publik, ndërsa apeloi që të kufizohet numri i barnatoreve kujdestare në të gjithë territorin e vendit dhe që udhëheqësit e fabrikave dhe institucioneve të përshtatin orarin e punës në bazë të ndalesës së paraparë.

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut, që tashmë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në mbarë territorin e vendit, me masa për të parandaluar përhapjen e koronavirusit filloi që nga java e kaluar, të tilla si mbylljen e objekteve të mbyllura tregtare, shërbimi vetëm me porosi i konsumatorëve në lokalet ushqimore dhe ndalimin e mbledhjes së banorëve në grupe mbi pesë persona nëpër vende publike.

    Kujtojmë së autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut sot njoftuan nëntë raste të reja të koronavirusit, me çka numri i përgjithshëm i të prekurve nga ky virus në vend u rrit në 85.

    Koronavirusi, i cili për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, është përhapur në të paktën 167 vende dhe rajone në mbarë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila etiketoi shpërthimin një pandemi, fillimisht epiqendër e shpalli Kinën, por aktualisht epiqendër e koronavirusit është shpallur Evropa.

    Me mbi 297 mijë raste të konfirmuara në mbarë globin, numri i vdekjeve nga koronavirusi ka tejkaluar shifrën 12.500.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!