Një nga ekspertët kryesorë të Kinës për koronavirus ka paralajmëruar se vendi po përballet me një shpërthim të dytë të sëmundjes për shkak të numrit në rritje të infeksioneve të zbuluara në mesin e ardhjeve të reja nga jashtë shtetit.
Profesoresha Li Lanjuan, një anëtare e ekipit të ekspertëve të Pekinit për virusin, tha që ajo ishte ‘shumë e shqetësuar që rastet e importuara mund të shkaktojnë një tjetër epidemi në shkallë të gjerë në vend, përcjell Reporteri.net.
Komenti i saj erdhi pasi zyrtarët shëndetësorë raportuan rastin e parë në vend të një personi që besohet të ketë kontraktuar sëmundjen, e njohur si COVID-19, nga një person tjetër që u kthye nga jashtë shtetit.
Komenti i saj vjen ndërsa jeta në ish epiqendrën Wuhan ngadalë po kthehet në normale pas një bllokimi total dy-mujor.
Profesoresha Li, 73 vjeçe, tha për China News se kontrolli dhe parandalimi i rasteve të importuara është një detyrë e rëndë ’për punonjësit e mjekësisë.
“Kjo kërkon që ne të vazhdojmë të intensifikojmë përpjekjet tona dhe të punojmë pa u lodhur për të parandaluar përhapjen e epidemisë së koronavirusit në qytete të tjera”, tha ajo.
Profesoresha Li ka udhëhequr ekipin e saj mjekësor për të luftuar virusin në Wuhan për më shumë se 50 ditë.
Ajo u tha gazetarëve në Wuhan: ‘Qytetet si Pekini, Shanghai, Guangzhou, Shenzhen dhe Hangzhou kanë komunikime të shpeshta ndërkombëtare. Unë jam shumë e shqetësuar që rastet e importuara mund të shkaktojnë një epidemi tjetër në shkallë të gjerë në vendin tonë’.
Ajo gjithashtu kërkoi që zyrtarët të identifikonin ata që ishin goditur nga virusi, por nuk janë diagnostikuar zyrtarisht. Ajo paralajmëroi se ata mund të ri-ndezin epideminë.
Mjekët në Guangzhou, kryeqyteti krahinor i Guangdong, kanë diagnostikuar një pacient me koronavirus i cili u sëmur pasi kishte kontakte të ngushta me një person që hynte në Kinë nga Turqia.
Ky është rasti i parë me koronavirus në Kinë me një lidhje të drejtpërdrejtë me një rast të importuar. /Reporteri.net