Andi Pajaziti, mik dhe bashkëpunëtor i Astrit Mehmetit – ‘Llepotës’, i cili dyshohet të ketë marrë pjesë në gjuajtjet me armë ndërmjet dy grupeve para klubit të natës “Duplex”, në një mesnatë të nëntorit të vitit të kaluar, është identifikuar si personi i cili deshi ta sulmojë fizikisht gazetarin Berat Buzhala, derisa ky i fundit po dilte nga një barnatore në kryeqytet.
Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, ëshët ftuar në polici për rastin me gazetarin Buzhala, dhe këtë e ka konfirmuar edhe avokati i të dyshuarit.
Avokati Asdren Hoxha, në një bisedë për Kallxo.com ka thënë se sot do t’i përgjigjen ftesës së policisë për rastin.
“Po, mundem me konfirmu që Policia e Kosovës ia ka dërguar një ftesë për intervistim dhe që ai i përgjigjet organeve dhe gjatë ditës së sotme besoj do të sqarohen rrethanat. Sot do t’i përgjigjemi policisë”, ka thënë Hoxha.
Të shtunën mbrëma, drejtori i medias Gazeta Express dhe televizionit T7, Berat Buzhala, denoncoi publikisht një tentim sulm ndaj tij në Prishtinë.Për këtë, Buzhala fajësoi dy persona, të cilët ai i quajti “vagabondë të Vetëvendosjes”.
Por, pretendimet se peronat që tentuan ta sulmonin Buzhalën janë të partisë Lëvizja Vetëvendosje, i ka mohuar avokati i Andi Pajazitit.Ai tha se klienti i tij nuk ka fare të bëj me partinë e Albin Kurtit, por ka qenë keqkuptim i të dëmtuarit.
“Absolutisht nuk ka të bëjë me Vetëvendosjen dhe është krejt një keqkuptim i të dëmtuarit (Berat Buzhala). I dëmtuari e ka keqkuptu që mundet me qenë arsyeja për Vetëvendosjen. Ai ka qenë një takim krejt i rastësishëm dhe një keqkuptim për mendimin tim. Nuk ka lidhje me VV-në, nuk është militant as nuk është anëtar partie, bile përkundrazi nuk ka lidhje me atë parti, por ashtu ka mendu i dëmtuari”, ka thënë avokati Asdren Hoxha.
Kallxo.com ka kontaktuar edhe Vetëvendosjen për të pyetur nëse Andi Pajaziti është pjesë e kësaj partie, por ata e kanë mohuar këtë.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka asnjë anëtar me këtë emër dhe nuk ka pasur ndonjëherë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të VV-së.
E një ditë pas rastit, Berat Buzhala së bashku me avokatin, Arianit Koci denoncuan rastin në Policinë e Kosovës.
“Ne e kemi paraqitur rastin në Polici dhe tash Policia ka fillu me e hetu rastin. Ne i kemi dhënë informatat e nevojshme dhe tash besojmë policia e identifikon personat që kanë kry veprën dhe tash vazhdon procedua”, ka thënë Koci për KALLXO.com.“Unë nuk muj më shumë detaje me dhënë për shkak se mund t’i pengoi hetimet, kemi tregu çfarë veture ka qenë, ngjyra e saj, tabalat e regjistrimit dhe disa dëshmitar që kanë qenë. As Berati (Buzhala), nuk e ka ditë se kush kanë qenë personat”, ka thënë Koci.
Ndërsa, pas identifikimit të personit të dyshuar, dhe mohimit se ai i përket Vetëvendosjes, ka reaguar gazetari Buzhala, i cili thotë se Pajazitin nuk e njeh, dhe nuk e ka takuar kurrë, e rrjedhimisht me të nuk ka pasur asnjë kontest të hapur nga më herët, dhe vazhdon të insistoj se tentimsulmi ndaj tij ka ardhur lidhur me punën e tij si gazetar.
“Sot policia e ka intervistu si te dyshimte per sulm ndaj meje Andi Pajazitin. Ne rrafshin privat ky emen per mu nuk do te thote kurrgjo. Nuk e njoh, nuk e kam taku kurre, prandaj cfaredo qofte motivi qe ky ka pase eshte thjesht i bazuar ne punen time si gazetar”.
Buzhala për më tepër thotë se natën kur tregoi për tentim sulmin, fyerje ka marrë edhe nga personi që tash është prezantuar si avokat i të dyshuarit.
“Nje gje e di, avokati i tij qe tash po fole neper portale se ky djali nuk ka lidhje me LVV, le te na tregoje atehere cili eshte motivi. A thjesht ka dal per qef me rrehe njerez rruges? Gjithashtu e di qe avokati i tij, naten kur une e kam bo publike tentim sulmin, me ka sulmu me nje postim, te cilin me vone e ka shly. Postimi i tij ishte ne frymen e postimeve te aktivisteve te Organizates. Pse bash ky avokat i tij dhe pse kjo ngarendje e tij per me e mohu cdo motiv politik, kjo mbetet me u pa ne rruge e siper. Per kete gje une e pres perfundimin e plote te hetimeve dhe jam shume kurioz me e pa deklaraten e tij te dhene ne polici”, ka shkruar Buzhala. /Reporteri.net