×
  • Lajme
  • Lajme

    Kjo është harta e komunave të prekura me koronavirus në Kosovë

    Reporteri
    23 Mars 2020 | 18:26

    Një i vdekur dhe 35 persona të prekur është bilanci i 10 ditëve të para të paraqitjes së koronavirusit në Kosovë.


    Dy rastet e fundit që dolën sot pozitive janë raste kontakti njëri me vendbanim nga fshati Petrovë komuna e Shtimes, e gjinisë mashkull me moshë 44 vjeç dhe tjetra me vendbanim në Prishtinë nga komuna e Prishtinës e gjinisë femër e moshës 39 vjeç.

    Kështu numri i komunave të prekura me koronavirus në vendin tonë është rritur. Komuna më e re e prekur është Shtimja, çka e çon në 13 numrin e komunave të prekura, shkruan Reporteri.net.

    Komuna e Vitisë dhe e Malishevës janë komunat me rastet më të shumta të prekura, me gjithsej nga 7 persona të prekur me koronavirus.

    Vendin e tretë janë Prishtina e Gjakova me 4 raste.

    Podujeva dhe Gjilani janë me nga 3 raste.

    Kurse me veç nga një rast të paraqitur janë 6 komuna: Klina, Lipjani, Prizreni, Obiliqi, Theranda, Ferizaj dhe Shtimja.

    Nga koronavirusi deri tani ka humbur jetën veç një person 85 vjeçar nga Dumnica e Podujevës, i cili u varros dje.

    Rasti i parë me koronavirus është shënuar më 13 mars në komunën e Vitisë, ku ishte prekur një 77 vjeçar që kishte qëndruar në Itali.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vazhdimësi ka bërë thirrje ndaj qytetarëve që të respektojnë masat e rekomanduara nga ta dhe Ministria e Shëndetësisë, pra të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin në rrugë pa arsye.

    Ndërkohë përkundër rritjes së numrit të personave të prekur, në vendin tonë ende nuk është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

    Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti nuk po pajtohet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. I pari ka kërkuar një gjë të tillë, por i dyti vazhdon të insiston se nuk ka ende nevojë për të marrë një masë të tillë. /Reporteri.net/.
     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!