Ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Philip Kosnett, i cili mbërmë tha se është i kënaqur që po mbahet seanca për mosbesimin ndaj qeverisë Kurti, sot me mëngjes ka vizituar Kuvendin, për të takuar kryetaren Vjosa Osmani, e cila dje votoi kundër mbajtjes së kësaj seance.
Takimin e Kosnett me Osmanin e ka konfirmuar për Reporteri.net, edhe kabineti i kryetares së Kuvendit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadori i tyre në Kosovë, Kosnett, për dallim nga shtetet e BE’së, në veçanti Gjermania e Franca, janë shprehur pro mbajtjes së seancës ku do të votohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, pavarësisht se vendi po përballet me krizën e coronavirusit.
Ambasadori Kosnett përmes Twitterit mbrëmë tha se duhet respektuar Kushtetuta e vendit dhe se seanca e thirrur e Kuvendit duhet mbajtur, dhe politikanët nuk duhet penguar atë. E duket se kjo është edhe njëra prej arsyeve që ai sot ka shkuar në Kuvend për ta takuar kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, e cila është përgjegjësja kryesore për organizimin e kësaj seance.
Kosnett me gjasë ka shkuar atje t’i kërkojë kryetares Osmani që të mos e pengojë mbajtjen e kësaj seance, pavarësisht se ajo është shprehur edhe me votë në Kryesi kundër mbajtjes së saj.
Duhet theksuar se SHBA janë edhe njëri prej shkaktarëve kryesor të prishjes së koalicionit VV-LDK, pasi kërkonin me ngulm që qeveria të heq taksën, kërkesë të cilën nuk e përfilli në plotëni kryeministri Kurti. /Reporteri.net