Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka thënë për ish-liderin e tij, kryeministrin në largim, Albin Kurti se është duke e bërë një hakmarrje të frikshme.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Molliqaj ka shkruar se Kurti sot e ka shkarkuar njeriun për të cilin e kishte lavdëruar, përcjell Gazeta Insajderi.
“Hakmarrja e Frikshme e Kurtit. VV ankohej se shkarkimi i Albin Kurtit në kohë krize përbën rrezik për Kosovën. Sot e shkarkoi vetë, bash personin përgjegjës për menaxhim të krizës, Naser Ramadanin, të cilin e kishte lavdëruar si një nga njerëzit më të përgjegjshëm në këtë menaxhim”, ka shkruar Molliqaj.
Sipas Molliqajt, shkarkimi i Ramadanit nga Kurti është hakmarrje e pastër politike.
“Dhe pse e shkarkoi? Vetëm sepse kishte rekomanduar që mbajtja e seancës së Kuvendit mund të realizohej. Pra hakmarrje e pastër politike”, ka shkruar Molliqaj.
Sipas ish-anëtarit të Vetëvendosjes, “Kurtit nuk i intereson as virusi dhe as shëndeti. Tash në rënie e sipër, ai po shpalos hakmarrjen e tij të frikshme autoritare duke shkarkuar personat që vetë i kishte ngritur në qiell para pak ditësh”.