×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi: Nuk kam gisht në rrëzimin e Kurtit, as krasitja nuk ishte për të

    Reporteri
    01 Prill 2020 | 21:03

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për mocionin e votëbesimit me të cilin u rrëzua Qeveria Kurti.


    I pyetur në Pressing se a ka gisht në rrëzimin e Kurtit, Thaçi ka thënë se është e drejtë kushtetuese dhe ligjore e deputetëve, të cilët e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë për mocionin e votëbesimit.

    Megjithatë Thaçi ka thënë se kjo nuk është hera e parë që Qeveritë rrëzohen, mirëpo sipas tij kjo nuk është dashur të ndodhë në mes të krizës me pandeminë COVID-19, shkruan Reporteri.net.

    “As  nuk kam pasë gisht, as dorë, unë nuk kam qenë në Kuvend. Është e drejtë kushtetuese dhe ligjore që e kanë shfrytëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës. Përmendja e emrit tim prej deputetëve  në pozitë apo opozitë është çështje e tyre. Ndoshta edhe përballja e tyre elektorale me mua ka krijuar pasoja  tek ta. Unë i kam përcjellë nga afër punimet. Duhet respektuar si një proces i rregullt kushtetues dhe ligjor. Ky mocion nuk është i pari që ka ndodh në vendin tonë, por a kanë qenë rrethanat, nuk kanë qenë”, është shprehur ndër të tjera Thaçi.

    I pyetur për një fotografi që presidenti kishte publikuar ditë më parë, e që nga shumica u tha se simbolizonte rrëzimin e Qeverisë Kurti, Thaçi tha se këto janë interpretime të pasakta. Sipas tij atë ditë kur ishte shkrepur fotografia kishte qenë në fshat duke i ndihmuar vëllait të tij.

    “Në politikë përdoren metaforat prej të tjerëve. Unë kam qenë në fshat i kam ndihmuar vëllait, nuk ka lidhje kjo me mocionin”, u shpreh shkurt Thaçi.

    Kujtojmë se presidenti Thaçi gjatë ditës së sotme kishte konsulta me disa nga liderët e partive politike në Kosovë, duke përfshirë edhe kryeministrin Kurti. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!