Sami Kurteshi duket se gjithmonë do të ketë inat Hashim Thaçin. Ai dhe presidenti aktual kishin pasur një përballje të fortë në Komisionin për hetimin e depërtimit të gylenistëve.
Por edhe më herët dhe tash, Kurteshi e ka akuzuar për gjithçka dhe rënë, Thaçin.
Tash natyrisht është çështja e zgjedhjeve apo qeverisë së re. Dhe Kurteshi është përfaqësues i VV-së në KQZ.
Pas konsultimeve që ka bërë me partitë politike, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kërkuar nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti një emër të ri për ta mandatuar si kandidat për ta krijuar Qeverinë e re.
E ka quajtur kësaj here monstrum.
Sipas Kurteshit, përpjekja e presidentit së bashku me Isa Mustafën, të cilin e cilëson shërbëtorë e deputetët e partive të korruptuar tani e 20 vjet përbën një puç politik ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ky President monstrum me figurë njeriu, që e ka humbur pushtetin realisht dhe objektivisht në kuptimin legjitimitetit popullor si përfaqësues i ‘unitetit të popullit’, po përpiqet me çdo kusht ta mbajë atë legalisht si ‘kreu i shtetit’, duke krijuar përveç krizës edhe mjegullnajë politike me ndërskamca juridike, tani përmes ‘konsultimit’ zjarrvënës për një qeveri të re të unitetit të faktorit politik. Përpjekja brutale për krijimin e një realiteti të ri paszgjedhor nga pozita pasive ceremoniale e Presidentit, pa legjitimitet të votës popullore por me “legalitetin” e 82-3 votave të vullnetit qytetar të deformuar skajshmërisht nga deputete/ët e partive të korruptuara tani e 20 vjet, përbën një puç politik ndaj legjitimitetit popullor”, ka shkruar Kurteshi.
“Kurse koordinimi i vazhdueshëm me Isa Mustafën, një shërbëtor politik me trashëgimi serbo-titiste, që ndryshimet kushtetuese antishqiptare i ka pjesë të biografisë personale tani e katër dekada dhe shërbëtorët e tjerë servilë politikë të korruptuar në prapaskenë, që përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme fillimisht, e mëpastaj përmes rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe përpjekjeve për krijimin e një ‘qeverie të re’ nga një Kuvend pa legjitimitet popullor, po e nxjerrin në dritë synimin kryesor, ndryshimet kushtetuese me 82-3 votat e deligjitimuara, për të nxjerrë nga terreni politik i Kosovës Lëvizjen Vetëvendosje, përbën një puç politik e juridik par excellence ndaj shtetit ligjor dhe legjitimitetit qytetar”, është shprehur ish-deputeti i Vetëvendosjes.