×
  • Lajme
  • Lajme

    Punëtorët e Shell Kosova: Na janë zbritur pagat pa paralajmërim, dikush u pagua vetëm 40 Euro

    Reporteri
    16 Prill 2020 | 21:02

    Autor: Shkumbin B. Kajtazi


    Pa asnjë paralajmërim, as me shkrim e as në formë verbale, punëtorët e kompanisë së derivateve, ‘Shell Kosova’ kanë marrë pagë me zbritje . Edhe këtë pagë me zbritje, ata e kanë marrë me disa ditë vonesë. Kështu të paktën kanë thënë për Reporteri.net disa prej tyre, që kanë shkruar në adresë të Reporterit, e disa edhe kanë folur para kamerës. Ata e akuzojnë kompaninë për mashtrim ndaj tyre. Kompania e Inspektorati nuk kanë folur.


    Një punëtor restauranti në rrjetin e pompave të derivateve të naftës, ‘Shell Kosova’, emër i njohur për redaksinë, por që ka dashur të mbetet anonim, punoi 18 ditë në muajin Mars të këtij viti. Për kaq ditë, ai mori pagë vetëm 40 euro dhe ato tek sot.

    “Unë kam punu në restaurant, për 18 ditë. Ma nuk punojmë. Dhe tek sot na kanë qitë 40 euro për qato 18 ditë”, ka thënë ky punëtor i Shell-it.

    Ky punëtor thotë se nuk mori asnjë shpjegim se pse kaq pak pagë, pse me kaq vonesë, e po ashtu nuk e din nëse do të ketë kompensim më vonë.

    Ai dhe shumë të tjerë, që punojnë edhe në sektorë tjerë të kësaj kompanie kanë shprehur ankesa në adresë të Reporterit.

    Disa, në një pikë shitëse në Prishtinë, në Bregun e Diellit edhe kanë protestuar për trajtimin që kanë marrë nga kompania në fjalë.

    Shumë prej punëtorëve, kanë pasur ankesën së kanë marrë pagën me zbritje pa asnjë paralajmërim dhe asnjë premtim për kompensim. Ata kanë thënë se nuk kanë marrë asnjë njoftim se do të jenë pjesë e ndihmës nga Qeveria, në kuadër të pakos ekonomike emergjente, që parasheh nga dy paga, nga 170 euro për muaj, për punëtorët që kanë kontrata.

    Punëtorët që kanë folur për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, po konsiderojnë se është mashtrim forma se si ‘Shell Kosova’ ua ka bërë atyre.

    Të gjithë ata që kanë shprehur shqetësimin para kamerës, por edhe ata me mesazhe në adresë të Reporterit, kanë thënë se nuk kanë marrë nga menaxhmenti asnjë njoftim paraprak, ose premtim se në një formë ose tjetër, tash ose më vonë do të kompensohen rrogat. As me shkrim e as në formë verbale.

    “Rrogat i kemi pasë 300 euro. Na i kanë qitë me vonesë 210 euro. As nuk na kanë lajmëru për zbritje të rrogës e as për asgjë tjetër, Përkundrazi na e kanë rrite orarin e punës nga 16:00 deri në 8 të mëngjesit”, ka thënë për Reporterin një nga punëtorët.

    Ka nga ta që kanë thënë se që disa muaj punojnë pa kontrata, dhe se tash edhe nëse do të ndodhte ndonjë mbështetje nga shteti, frikësohen se ajo mund t’iu takojë atyre.

     

    Reporteri.net ka folur edhe me disa përgjegjës të pikës së naftës ‘Shell Kosova’ në Bregun e Diellit në Prishtinë, aty ku edhe disa nga punëtorët kishin një protestë simbolike. Ata nuk kanë pranuar të flasin gjersa kanë kërkuar që ekipi i Reporterit të largohet.

    Reporteri.net ka dërguar pyetje edhe në adresë të “Shell Kosova”, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar një përgjigje.

    Ndryshe, Reporteri.net, në mars të këtij viti, ka raportuar për disa dyshime me mashtrim me derivate që ‘SHELL Kosova’, në pronësi të ‘AL Petrol SHPK’, bënë tek konsumatorët kosovarë.

    Pas publikimit të këtij artikullit, pronari i kësaj kompanie Latif Kryeziu e kishte kërcënuar drejtorin e Reporterit, Bekim Kabashi dhe familjen e tij. Rasti në fjalë është në polici, por ende nuk ka asnjë njoftim rreth progresit në hetimin e rastit.

    Pikat e karburanteve ‘SHELL Kosova’, nuk shesin derivate të gjigantit holandez ‘SHELL’

    Nga ana tjetër, në lidhje me ankesat e punëtorëve, Reporteri.net ka pyetur edhe në Inspektoratin e Punës, me saktë në adresë të Ushtruesit të detyrës së Kryeinspektorit, Valdet Lecit. Por, as ai nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës dhe deri në momentin kur është botuar ky artikull.

    Në momentin që të dy palët do të kthejnë përgjigje, Reporteri.net do të paraqes edhe anën e tyre. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!