×
  • Lajme
  • Botë

    Spanja e izoluar deri më 11 maj, lehtësira për fëmijët nga 27 prilli

    Reporteri
    19 Prill 2020 | 14:34

    Në Spanjë u shënua të dielën numri më i ulët i vdekjeve ditore nga koronavirusi në këto katër javë, por qeveria është e vendosur të shtyjë me 15 ditë të tjera masat e izolimit për banorët me shpresën se do të stabilizohet edhe numri i rasteve të reja.


    Spanja parashikon të zgjatë deri në javën e dytë të majit masat për mospërhapjen e koronavirusit, teksa mbi 20 mijë persona kanë gjetur vdekjen prej tij.

    Kryeministri Pedro Sánchez njoftoi se pas 27 prillit do të nisë lehtësimi i regjimit të lëvizjes për fëmijët ndërsa gjendja e jashtëzakonshme do të lehtësohet gradualisht për qytetarët e tjerë pas 11 majit.

    Kërkesa për këtë do i drejtohet parlamentit, ku Sánchez i nevojiten edhe votat e opozitës, e cila më parë ka kundërshtuar një pakt mbipartiak për rindërtimin social dhe ekonomik të vendit pas krizës.

    “Po mendojmë për një marshim të ngadaltë drejt normalitetit. Pjesën më të vështirë e kemi arritur por arritjet janë ende të pamjaftueshme dhe mbi të gjitha të brishta për zgjidhjet e parakoshme,” deklaroi kryeministri spanjoll.

    Sipas kreut të qeverisë, situata me pandeminë Covid-19 në vend po përmirësohet.

    Një ditë më parë u vendos edhe mbyllja e sallës private të konferencave që prej datës 20 mars u shërbente mbi 3 mijë pacientëve me koronavirus.

    Të dielën, Spanja shënoi numrin më të ulët prej katër javësh të vdekjeve ditore, 410 të tilla, numri i të shëruarve u ngjit mbi 77 mijë ndërkohë që infeksionit që prej fillimit ka prekur 195 mijë veta.

    Gati gjysma e rasteve janë konfirmuar në rajonet turistike të Madridit dhe Katalonjës.

    Spanja, Italia, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe janë përkatësisht pesë vendet europiane më të prekura nga Covid-19.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!