×
  • Lajme
  • Botë

    Rusia i izolon 15 mijë ushtarë, nuk e respektuan distancën

    Reporteri
    20 Prill 2020 | 16:01

    Rusia i ka vendosur në karantinë rreth 15 mijë ushtarë, të cilët kishin marrë pjesë në përgatitjet për paradën e Ditës së Fitores, për shkak se nuk i kanë respektuar rregullat për mbajtjen e distancës fizike.


    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se do t’i kthejë këta ushtarë në bazat e tyre, ku do të qëndrojnë në karantinë për dy javë. Kjo ministri nuk njoftoi nëse ndonjëri prej ushtarëve është konfirmuar si i infektuar me koronavirus, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.

    Njoftimi erdhi disa ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, vendosi për shtyrjen e shënimit të Ditës së Fitores, ceremoni tradicionale që mbahet çdo vit më 9 maj. Kjo datë shënohet me parakalimin e mijëra ushtarëve në Sheshin e Kuq të Moskës dhe e paraqet fitoren kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

    Disa njësi dhe akademi ushtarake në Rusi tashmë janë prekur nga koronavirusi. Javën e kaluar, Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se dhjetëra kadetë dhe instruktorë nga akademia detare “Nakhimov” janë infektuar me virusin e ri. Sidoqoftë, asnjëri prej të infektuarve nuk kishte marrë pjesë në ushtrimet e mijëra ushtarëve, të cilët janë vendosur në karantinë.

    Më herët gjatë këtij muaji, në internet u publikuan pamje të mijëra ushtarëve që qëndronin shumë afër njëri tjetrit. Ministria e Mbrojtjes më pas konfirmoi se ka mbajtur ushtrime për paradë më 1 prill.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!