Numri i të infektuarve me coronavirus në Kosovë ka shkuar në 604 persona. Deri më tani janë të shëruar 128, ndërsa 18 të tjerë kanë vdekur.
Fatmirësisht ky virus nuk është përhapur në të gjitha komunat e vendit. Një prej komunave që nuk është prekur nga coronavirusi është edhe Juniku.
Kreu i kësaj komune, Agron Kuçi, ka thënë se fatmirësisht në Junik nuk është prekur asnjë qytetar.
“Nuk kemi asnjë person të prekur me coronavirus në Junik, nuk ka pasur as raste të dyshuara. Shpresoj të mos kemi edhe ditët në vijim, dhe dhe uroj të kalojnë mirë të gjithë qytetarët e Kosoves”, ka thënë Kuçi për Reporteri.net.
Ai thotë se situata është menaxhuar mirë nga komuna dhe se junikasit kanë respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike.
“Deri më tani situata është menaxhuar mirë nga komuna dhe rekomandimet janë respektuar nga qytetarët dhe bizneset”, ka deklaruar Kuçi.
Ai tregon se përkundër që qyteti që drejton s’është i prekur nga virusi, komuna megjithatë nuk po rri duarkryq dhe po ju del në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë.
“Kemi ndihmuar 150 familje me gjëra ushqimore dhe hixhenike”, ka thënë Kuçi.
Kujtojmë se përveç Junikut, komunat tjera që nuk janë të prekura me coronavirus janë edhe: Dragashi, Mitrovica e Jugut, Kaçaniku, Shtërpca, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Novobërda, e Mamusha. /Reporteri.net/.